Më 12 prill, në Maqedoninë e Veriut ishin parashikuar të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, por për shkak të COVID-19 janë shtyrë. Ende nuk është caktuar data se kur mund të mbahet votimi, pasi partitë nuk kanë gjetur ende kompromis. Kreu i Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela në një intervistë për ‘Balkan Talk” në Euronews Albania, shprehet se procesi duhet shtyrë që të mbahet në korrik ose gusht. Ai thotë se kërkesa e partive në pushtet për mbajtjen sa më shpejt të zgjedhjeve është një manovër politike.
“Ata duan që të shkojnë në zgjedhje të shpejta në mënyrë që dalja e qytetarëve në votime të jetë më e vogël dhe në parim kur dalja është e vogël, i ka fituar zgjedhje pushteti”, deklaroi z. Sela duke iu referuar kështu LSDM-së dhe BDI-së.
“Për shumë shkaqe, zgjedhjet mendoj se duhet të mbahen në korrik pasi nuk mund të mbajmë zgjedhje kur kufijtë e Bashkimit Evropian janë të mbyllur deri më 15 qershor. Me çfarë logjike mund t vendoset që të shkohet në zgjedhje më 14 qershor, pa prezencën e misionit të OSBE/ODIHR”, nënvizoi ai.
Z. Sela thotë se LSDM dhe BDI po përpiqen që të marrin meritat e anëtarësimit të vendit në NATO, por rikujtoi se në këtë proces kanë dhënë kontribut të gjitha partitë përfshirë dhe partinë e drejtuar prej tij, pa votat e të cilët nuk do të ishin bërë ndryshimet kushtetuese për emrin e Maqedonisë së Veriut. Madje, ai kujtoi se BDI ka 18 vite që është në pushtet dhe gjatë bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE mund të thuhet se e ka penguar këtë proces.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut jetojnë në një sistem politik monist, pasi prej 18 vitesh qeverisen nga e njëjta parti. Ne nuk duam që të largojmë BDI-në nga pushteti, por një forcë politike të korruptuar dhe të kapur. Ndaj kërkojmë që të bashkohen sa më shumë shqiptarë në koalicion parazgjedhor”, deklaroi z. Sela.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët denoncoi se janë me mijëra shtetas maqedonas që u zënë vendet e punës shqiptarëve vetëm me një deklaratë të nënshkruar duhet u hequr si shqiptarë. Z. Sela tha më tej se merita për përdorimin e gjuhës shqipe i takon partisë së tij pasi me tre votat në Parlament e kushtëzoi z. Zaev që të kalonte ligjin, ndërkohë që BDI vazhdimisht kishte premtuar një gjë të tillë. Pavarësisht ndasive, z. Sela bën thirrje për bashkimin e partive shqiptare pasi vetëm kështu thekson ai do të mund të realizojnë kërkesat e tyre dhe do të përmirësojnë jetesën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Faktori politik shqiptar do të duhet që të bashkojë votat në mënyrë që të formohet një legjitimitet sa më i fortë që pikët e programit të tyre të bëhen realitet pas zgjedhjeve. Unë jam i idesë se partia fituese të nesërmen e zgjedhjeve duhet të mbledhë në një tryezë kryetarët e partive parlamentare shqiptare në mënyrë që kërkesat e tyre të bëhen si bllok shqiptar dhe vetëm në këtë formë do të realizohen dhe kështu do të përmirësohet cilësia e jetesës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi kreu i Aleancës për Shqiptarët.
“Për ndryshe do të vijoi modeli i lojës së Nikola Gruevskit. Ai mbante një subjekt politik në qeveri dhe tjetrin e mbante te dera. Në momentin që ajo parti shqiptare bënte kërkesa nga programi dhe platforma për të cilën e kishin votuar shqiptarët, ai thoshte mbyll gojën se marr tjetrin. Ata që humbnin nga loja politike e Gruevskit ishin shqiptarët, votuesit shqiptarë pavarësisht për cilën partive kishin votuar”, përfundoi z. Sela./euronewsalbania/