Ashtu siç ishte paralajmëruar, pedagogët e fakultetit të Histori-Filologjisë kanë filluar grevën një-ditore, ndërsa kërkojnë plotësimin e disa kërkesave.
Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të këtij fakulteti, profesor Mark Marku theksoi se vendimet e Këshillit të Ministrave janë në kundërshtim me frymën europiane. Ai tha mes të tjerash se Asambletë e të gjitha fakulteteve do të mblidhen për të marrë një vendim se cili do të jetë veprimi i radhës.
“Është mbledhur asambleja e Fakultetit. Asambleja është tërësia e pedagogëve. Ndaj është vendosur që të shpallet një grevë një ditore. Është pjesë e autonomisë, pavarësia në kërkimin shkencor dhe punët shkencore. Pavarësish në përmbajtjen e mësimdhënies. Janë 3 gjera elementare. VKM i cenojnë të trija këto. Në një VKM thuhet se qeveria do të prodhojë një statut-tip dhe mbi këtë bazë do ndërtohen statutet e tjerë. Çdo universitet ka statutin e vet. Ky është cënim direkt i autonomisë. Ne jemi me vettingun, por kush do ta bëjë kontrollin e gradave. Ministria bën një VKM për biblografinë. I bie që ministria do bëjë librat për universitetit, si në shkollat fillore. Ne do caktojmë një ditë se kur do të mblidhemi bashkë me asambletë e tjera të fakulteteve dhe do të dalim me një qëndrim”, – u shpreh Marku.