Krahas problemeve të brendshme nga konkurrenca, konsumi i dobët dhe mbiinvestimet, industria e blojës këtë vit ndodhet nën presionin e zhvendosjes së burimeve të furnizimit me lëndë të parë (drithëra) për shkak të ndikimit që ka krijuar pandemia COVID-19. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se, në fillim të pandemisë dhe me aplikimin e masave kufizuese, tregu i brendshëm u përball me një kërkesë të fortë për miell, teksa transporti nga jashtë u përball me vështirësi. Para pandemisë, ngarkesat me grurë nga eksporti realizoheshin për 10-15 ditë, ndërsa tani nga 30-45 ditë.
Ai tha se, kufizimet ruse do të sjellin rritje të çmimeve të miellit dhe nënprodukteve të tij edhe në tregun vendas, por ai e përjashtoi rrezikun për mosfurnizim të rregullt të tregut. Prodhimet e grurit nuk janë ndikuar nga pandemia, por vendet që zotërojnë prodhimin më të lartë janë duke e shfrytëzuar situatën gjeopolitike dhe për të realizuar fitime gjithashtu. Kjo sjellje e prodhuesve të mëdhenj të grurit është nxitur nga rritja e kërkesës për furnizime të mëdha nga vende të tilla si Italia, Turqia, etj., gjatë pandemisë.
Eksportet nga Rusia shënuan rritje më 2019, duke rritur peshën e tyre në 54% të totalit nga 47% që ishte më 2018. Burimi i dytë më i madh i furnizimit me drithëra është Serbia, importet e së cilës zunë 35% të totalit më 2019, duke shënuar ulje në raport me vitin 2018, kur ato zinin 42% të totalit të importeve.
Tregu kryesor dhe më i rëndësishëm ushqimor në vend, mielli, zotërohet nga Rusia dhe Serbia, të cilat së bashku dominojnë 89,3% të tij sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Në vitin 2019, importet e drithërave ishin 366 mijë tonë. Nga kjo sasi, mbi 199 mijë tonë ose 54% ishin nga Rusia dhe 127 mijë tonë ose 34,8% ishin nga Serbia.
Varësia e lartë e importeve nga Rusia ka krijuar një problematikë të re për fabrikat shqiptare, të cilat janë duke kërkuar furnitorë të rinj. Adi Haxhiymeri tha se, Shqipëria nuk do të ketë probleme me mungesën e miellit në treg, por ai tha se çmimet do të rriten së paku me 15%.
Vitet e fundit, për shkak të çmimit më të lirë, Serbia u bë një burim i madh furnizimi me drithëra i vendit tonë, mirëpo cilësia e grurit serb është e diskutueshme. Sipas mediave vendase, bazuar në shitjen e farës së këtyre varieteteve në prodhimin e përgjithshëm, pjesa e grurit të cilësisë së lartë në prodhimin e përgjithshëm është vetëm 20 deri në 25%. Problemi është se nuk ka ndarje të grurit sipas kualitetit në magazinat serbe. Kur llojet e grurit të cilësive të ndryshme përzihen, rezultati përfundimtar është gruri i një cilësie mesatare ose nën mesatare, raportojnë mediat vendase.