Nga Dr.Jorgji KOTE
Në numrin 8 të kësaj rubrikë ekskluzive të “ARGUMENTUM”, diplomati dhe analisti i njohur, Dr. Jorgji KOTE flet “copë” “açik” me vetëm 900 fjalë mbi kryetemat diplomatike të periudhës 1 – 17 MAJ 2020: Samitin e Zagrebit, 8 – 9 Majin dhe Kosovën.
Zagreb, 6 Maj – Samiti i BE-së për Ballkanin
Ka jo pak njerëz e sidomos gazetarë që “ kërkojnë qiqrra në hell” nga ky Samit. “Pse jo data, pse zgjerimi, pse kështu e pse ashtu,“ Në fakt, kryefjala e Zagrebi ishte natyrshëm COVID- 19. Megjithatë, ai i dha mesazhet mbi perspektivën europiane ku zgjerimi është brenda. Por aq, sepse Zgjerimi si kryetemë u sanksionua qartë më 4 Shkurt në Metodologjinë e re të Komisionit Europian; të cilin e miratoi Këshilli i BE-së më 24 Mars. Po atë ditë, Këshilli miratoi njëzëri propozimin e Ministrave të Jashtëm për çeljen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Atëhere, a kishte më kuptim që Këshilli të përsëriste vetveten në Zagreb? Aq më tepër kur Ballkani është i përfshirë në fazat e para të zgjerimit? Veç kësaj, “t’u bihej pa kriter borive të zgjerimit” në Ballkan kur COVID po bën kërdinë vetëm se do të “zgjonte nga gjumi” ekstremistët që do të bërtisnin “ Fshati digjet dhe ajo….. krihet”
Pastaj, zgjerimi nuk fillon me data por me hapa. Ja pse BE-ja, krahas ndihmave për koronën, në Zagreb premtoi që në vjeshtë të vijë me një paketë të madhe fondesh për investime në rajon, pjesë përbërëse dhe e prekshme për këdo, si pjesë e trinomit të zgjermit. Kështu, BE na dha goxha “ kulaç” dhe tani pritet “ kërbaçi “ i saj, i cili në rastin tonë ka formën e 15 kushteve. Tani do pritur Komisioni Europian në Qershor nëse do të arrijë që të miratojë kornizën e negociatave, e cila duhet të miratohet nga vendet antare, veçse, pasi të na kalojnë “ në vrimë të gjilpërës”. BE-ja e realizoi synimin e tij gjeopolitik nga jashtë, tani duhet t’i dalim zot vehtes me rezultate nga brenda; ndryshe, “siç po duken bathët”, PO-ja mund të kthehet në Problem. Shembja e Teatrit Kombëtar me një sjellje dhe qëndrim politik që bie hapur ndesh me me frymën europiane është oguri i parë i keq.
8 – 9 Maji – Fitorja mbi fashizmin dhe Festa e Europës
Dy ngjarje të mëdha jubilare që COVID – 19 i la në hije, por vetëm përkohësisht. Dy data epokale të lidhura pazgjidhshmërisht midis tyre. Pa 8 Maj, fitoren mbi nazi-fashizmin nuk do të kishte Europë në paqe më 9 Maj. Mesazh kryesor i 8 Maj është që, nëse ish ish – BS, SHBA dhe Britania e Madhe kryesuan koalicionin e madh kundër murtajës naziste, sot bashkimi i tyre dhe gjithë komunitetit progresiv ndërkombëtar bëhet akoma më i domosdoshëm përballë një numri shumë më të madh armiqsh dhe sfidash – neonazizmi, terrorizmi, krimi, klima, mjedisi, korona dhe pandemi të tjera. Ky bashkim natyrisht në diversitet pritet të përbëjë themelin e debateve mbi rendin e ri botëror “ Post Covid – 19.
Në të kundërt, çdo tentativë nga cilido për të nënvleftësuar e ca më keq mohuar kontributin e ish BS-së me 27 milion viktima apo për të shtuar artificialisht dhe mbi baza ideologjike rrethin e fajtorëve të Luftës së II Botërore vetëm se do të shtonin pengesat për zgjidhjen e problematikave aktuale shpërthyese.
Ca më tepër kur tashmë dihen shkaqet themelore të lindjes dhe përshkallëzimit vdekjeprurës të nazizmit dhe fashizimit; gjithkush dhe Perëndimi ka “gjynahet” e veta që e lanë të bënte çtë donte Hitlerin për gati 20 vjet; kurse Chamberleni britanik “ e hëngri sapunin për djathë” Se kush ishte më i rrezikshëm, këtë e tregon legjendari Çurçill kur u përgjigjet kritikëve të aleancës me Stalinin se “ ai dhe me djallin do të bënte pakt që të hiqej qafe Hitleri” Fajtori i vetëm i kasaphanës së II Botërore, pavarësisht nga justifikimet mbetet Hitleri. Ndaj dhe ish – Presidenti i nderuar gjerman Kurt Ëaiszceker në fjalën e tij për 40 vjetorin e mbarimit të Luftës së II deklaroi publikisht në Berlin se “ 8 Maji shënon çlirimin e Gjermanisë” Pik.
III. Kriza në Kosovë dhe dialogu me Serbinë: Ndërkohë që pritet vendimi i Kushtetueses për qeverinë e re “Hoti”, në Kosovë dhe jashtë saj vijojnë pohimet, intervistat dhe parashikimet nga më të ndryshmet mbi dialogun dhe Marrëveshjen me Serbinë. Le ta themi sërish se dhe në kushtet kur COVID-19 është nëpër këmbë, bëhet fjalë më shumë për një lojë bosh “ pa top” ose video-game. Le ta themi troç: pa u zgjidhur çështja e qeverisë së re apo dhe zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, në Serbi pse jo dhe në SHBA, asgjë nuk mund të pritet në këtë drejtim. Dhe nëse bëhet diçka nën trysninë e afateve kohore, kjo do të mbetet vetëm në letër. Shto këtu dhe Rusinë e cila doli këto ditë me dy propozime, që marrëveshja të kalojë në KS të OKB-së, duke pranuar dhe ndryshime kufijsh nëse të dy palët bien dakord.
Duket qartë që ajo po shfrytëzon jo keq paaftësinë dhe javashllëkun e pajustifikueshëm të BE-së, por dhe të SHBA-ve që e kanë shtyrë shumë këtë çështje. Ja pse, tani, në fakt të gjithë tani po veprojnë në “ zoom” po “ matin pulsin” e njeri tjetrit, “ peshojnë” sa mban njeri e tjetri, kolaudojnë pozicionet dhe mprehin “thepin e shinjestrës” Ose prapë me terma sportive “ po bëjnë nxemje”. Asgjë më tepër.
argumentum.al
© Argumentum.