Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se vendi ynë ka identifikuar brenda 24 orëve të fundit, numrin më të ulët të të prekurve me COVID-19, me vetëm 2 raste, që nga fillimi i epidemisë.
Eugen Tomini, shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “në vend vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë. Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme, mbështetur në identifikimin e rasteve të reja, hetimin aktiv të tyre dhe numrin e pacientëve që po trajtohen në spital. Sot është dita me numrin më të ulët të rasteve pozitive të konfirmuara, që nga fillimi i epidemisë”.
Tomini informoi se janë testuar 168 qytetare si të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 2 qytetarë, në Qarkun Durrës. Të shëruar janë 12 qytetarë.
Rastet e reja janë kontakte të personave që tashmë rezultojnë pozitivë, ndërkohë që po vazhdon hetimi epidemiologjik aktiv në terren.
Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën kryesore ne shfaqjen e një kurbe epidemike të butë në vend.
Deri më sot janë kryer mbi 12,500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 948 qytetarë. Prej tyre, rreth 77% janë të shëruar.
Në vendin tonë aktualisht janë 190 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.