Opozita nuk ka një qëndrim të prerë për bojkotimin e Këshillit Politik, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk ka dha një përgjigje të prerë nëse do të kthehen në tryezë.
Pas takimit me ambasadorët e Bashkimit Europian, në një prononcim për mediat Basha u shpreh:
“Nuk varet nga ne rikthimi në tryezë. Vullneti nuk shprehet me fjalë, por me vepra. më shumë se kurrë sot topi është në anën e PS. Qeveria nuk ka vullnet për reformë zgjedhore. Ajo ka refuzuar të gjitha propozimet tonë. Ne do shfrytëzojmë rastin më të afërt për zgjedhje të reja dhe me standarde për qytetarët shqiptarë”, tha Basha.
Z. Basha tha se në takim me ambasadorët e Bashkimit Evropian ishin diskutuar dy çështje të rëndësishme, integrimi që sipas tij me qeverisjen dhe kryeministrin aktual po shënon hapa pas dhe ekonomia, që në kushtet e pandemisë është duke hyrë në një krizë edhe më të thellë.
Kreu i demokratëve tha se kishte shprehur gjithë vullnetin e PD për ta çuar vendin para në rrugën e integrimit në BE, ndërsa shtoi se i kishte kërkuar ambasadorëve që të shohin mundësinë e mbështetjes ekonomike të vendit, në kushtet kur sipas tij 7 në 10 shqiptarë e shohin veten në vështirësi të theksuara ekonomike.
“Shqipëria po bën hapa prapa në rrugën e integrimit. Për shkak të Edi Ramës kriza po thellohet. Veprimet e javës së fundit po e thellojnë krizën politike. Opozita mbetet e përkushtuar në plotësimin e 15 kushteve si mënyra e vetme për të ecur përpara. Ndaj sot kam kërkuar nga ambasadorët ndihmën e vendeve anëtare që Shqipëria të mund të plotësojë kushtet, të hapë negociata, të ketë ndihmë politike dhe financiare, të cilën e kanë edhe më të nevojshme për shkak të pasojave shkatërruese të COVID.
Çështja e dytë ka qenë ajo ekonomike, kur shumica dërrmuese e shqiptarëve gjendet në kushte ekstreme, sot 7-10 familje shqiptare e shohin veten në vështirësi ekstreme ekonomike. Kam kërkuar nga ambasadorët që të shohin mundësinë e mbështetjes ekonomike të vendit”, tha kreu i demokratëve.