Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 2 të arrestuar gjatë protestës kundër shembjes së Teatrit Kombëtar ndërsa për 6 u caktua masa e sigurisë “detyrim me paraqitje”
Atyre u ndalohet të marrin pjesë në protestën e sotme.
Protesta para gjykatës: “Kush mbron teatrin shkon në burg, lironi aktivistët!”
Mes të arrestuarve është edhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri Boiken Abazi.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një deklarate për mediat apeloi për lirimin e Abazit dhe aktivistëve të tjerë.
“Drejtësia duhet të arrestojë dhe të hetojë përgjegjësit e vërtetë që teatrin e kishin dënuar me shkatërrim vite më parë dhe që shkelën të gjitha normat ligjore dhe kufizimet e emergjencës pandemikë për të kryer krimin. Në një shtet ligjor, pushteti nuk jep imunitet. Aq më pak kur abuzon me detyrat publike. Hetimi i shkatërrimit të teatrit është prova e zjarrit e reformës në drejtësi. Privimi i mëtejshëm i lirisë së mbrojtësve të teatrit është vetëm inkurajim për vazhdimin e padrejtësive të pushtetit politik. Të gjithë të arrestuarit duhen liruar se me trupat e tyre mbrojtën rendin kushtetues dhe ligjshmërinë në vendin tonë. U bën barrikadë ndaj projektit kriminal të tjetërsimit të pronës publike dhe kepërdorimit të institucioneve shtetërore dhe interesave private”.
Mësohet se prokuroria do të kërkojë “arrest në shtëpi” për njërin nga të arrestuarit, ndërsa për të tjerët do të ketë masë të lehtë “detyrim paraqitje”.
Pas protestës së 17 majit, ku policia shembi godinën e Teatrit Kombëtar, u arrestuan shtetasit Boiken Abazi, Kastriot Qemaj, Sokol Ndoj, Romeo Lila, Endrit Mertiri, Burim Tafilica, Edjon Xhoxhaj, për kundërshtim të policëve dhe grumbullim të paligjshëm.