Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore dhe përfaqësues i PS në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri përmes një letre të hapur drejtuar Rudina Hajdarit, Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit, përfaqësues të opozitës në këshillin politik, iu bën thirrje që të rikthehen në tryezën e bisedimeve ku siç shprehet, një numër çështjesh kanë mbetur pezull për diskutim.
Z. Gjiknuri propozon thirrjen e mbledhjes së radhës ditën e enjte ose të premte (21/ 22 maj, ora 10.00 paradite ), në Pallatin e Kongreseve.
“Mendoj qe nuk duhet te humbim me kohe pasi data 31 maj, një datë e propozuar nga ju si afati për përmbushjen e objektivit të reformës zgjedhore me dakordësi, po afron dhe mbetet shumë pak kohë në dispozicion për të adresuar numrin e çështjeve të mprehta që ne kemi mbi tavolinën e negociatave.
Realizimi i reformës zgjedhore është një kusht i rëndësishëm i integrimit europian, por mbi te gjitha një premisë shumë e rëndësishme për të gjitha palët politike me qëllim realizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në vend”, përfundon letra e z. Gjiknuri.