Kryeministri, Edi Rama gjatë një interviste për Euronews Albania ka shpjeguar arsyet pse nuk i ka kthyer përgjigje letrës së dërguar nga organizata panevropian për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore “Europa Nostra”, e cila sugjeronte restaurimin e Teatrit Kombëtar.
“Nuk kam parë asnjë arsye që të kthej ndonjë përgjigje dhe mbi të gjitha që ajo oferta se me 1 milion euro do të restaurohej ajo ngrehinë e parestaurueshme, ishte qesharake. Nuk kam pas nevojë që t’i kthej përgjigje”, tha z. Rama.
Në përgjigje për protestën për rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar, Kryeministri iu referua rasteve të ndodhur në Francë dhe Gjermani, ku pasur të njëjtin reagim në prishje e një lagjeje historike në Paris si dhe shembjen e një godine të periudhës fashiste në Berlin.
Z. Rama e cilësoi godinën e Teatrit Kombëtar si “magazinë”, e cila “u ndërtua për ushtarët italianë dhe kishte ngelur peshqesh aty për 80 vjet”.
“Nuk ndahem tek vendi por ndahem tek godina. Ajo godinë u shemb me 70 vjet vonesë. Duhet të ishte shembur. Në atë skenë u poshtëruan të gjithë yjet e skenës”, deklaroi kreu i qeverisë.