Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, do të takohen sot në mbrëmje me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, për të diskutuar rreth kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe.
Ky takim është thirrur nga Veseli, kurse Presidenti Hashim Thaçi ka thënë
se zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë
duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane.
“Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit. Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës. Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit
tonë”, ka thënë ai.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar për KosovaPress se do të ishte naivitet i papranueshëm nëse shpjegohet se raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën varen nga heqja e taksës.
Ndërkohë me heret ,Besnik Tahiri, koordianator nacional për reformën shtetërore në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se taksa nuk do të hiqet as nesër e as pasnesër“Vendimi për taksën nuk ka ardhur se ne jemi zgjuar në një mëngjes dhe kemi vendosur që ta vendosim taksën, por është një vendim politik që ka ardhur si pasojë e veprimeve të Serbisë, sidomos
kohëve të fundit.
Vendimi ka ardhur edhe si pasojë e diskutimeve dhe pajtimit mes partnerëve të koalicionit”, ka thënë Tahiri në “Interaktiv” të KTV’së. Ai ka thënë se po sheh një diskurs, për të gabueshëm, se taksa po i dëmton marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën.
“Kjo taksë nuk është kundër Amerikës, as kundër ndonjë vendi të BE-së, madje as kundër Serbisë. Është taksë që tregon se këtu ka një shtet dhe një kryeministër që është sovran në vendimet e veta”, ka thënëTahiri. “Taksa e ka bërë formësimin e shtetësisë së Kosovës, dinjitetin e qeverisjes në vend, dhe është bërë për të arritur efektet politike për të cilat është vënë”, ka thënë ai më tej.