Zyra e Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se ky i fundit ka zhvilluar një bisede telefonike me kryetarin e Unionit Social Demokratik të Mqedonisë së Veriut, Zoran Zaevin.
Tema e diskutimit të dy liderëve ishte menaxhimi i pandemisë që ka krijuar koronavirusi në të dyja vendet.
Ndër të tjera, u diskutua edhe tema e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Njoftimi i plotë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe kryetari i Unionit Social Demokratik të Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, zhvilluan sot bisedë telefonike.
Gjatë saj, ata diskutuan për menaxhimin me COVID-19 në të dy vendet. Kryeministri në detyrë Kurti dhe qeveria e tij u përgëzuan për menaxhimin shembullor me pandeminë. Z. Zaev e njoftoi Kryeministrin në detyrë Kurti se Maqedonia e Veriut është ballafaquar me pandeminë me një Qeveri teknike në detyrë, por se shpejt do të përcaktohet data e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat priten të mbahen në korrik të këtij viti.
Në rrafshin e bashkëpunimit fqinjësor dhe rajonal, z. Zaev i ofroi Kryeministrit në detyrë Kurti gatishmëri për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë. Ai tha se ka respekt të veçantë për Kosovën dhe popullin e saj. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore ashtu sikurse kanë edhe qëllim të përbashkët anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Prandaj edhe bashkëpunimi dhe koordinimi janë të rëndësishëm.
Aty u diskutua edhe tema e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri në detyrë Kurti dhe z. Zaev u pajtuan se dialogu është i suksesshëm atëherë kur prodhon një marrëveshje të pranueshme e largpamëse, dhe një marrëveshje të qëndrueshme si për palët e përfshira në të ashtu edhe për rajonin.