Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat e 24 orëve të fundit për rastet e infektuara me COVID-19. Drejtorja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami tha se janë regjistruar 25 raste të reja, ndërsa një pacient 69-vjeçar nga Tirana ka humbur jetën duke e çuar numrin e viktimave në 33.
Deri tani numri i të infektuarve në Shqipëri ka shkuar në 1029, ndërkohë që rastet e reja janë konfirmuar në Tiranë, 24 raste, dhe në Durrës, 1 rast.
“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Që nga fillimi epidemisë, 33 qytetarë e kanë humbur betejën me Covid-19.Në 24 orët e fundit kemi sërish shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 17 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit ka rritje të numrit të të prekurve, të lidhura me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive por edhe vatra të reja në Tiranë. Janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës”, tha ajo.
Sipas të dhënave të Task-Forcës bëhet me dije se 15 nga 25 rastet e konfirmuar janë zbuluar në një call-center në kryeqytet.
“Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë. Ne 24 orët e fundit janë shëruar 8 qytetarë. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14832 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1029. Prej tyre, rreth 78% janë të shëruar.Në vendin tonë aktualisht janë 193 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën vetjake. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e Covid19, prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, shtoi znj. Cami.
Statistikat e COVID-19
Testime totale 14832
Testime molekulare 13506
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 1029
Raste të shëruara 803
Raste Aktive 193
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve
Tiranë 80
Durrës 54
Krujë 24
Shkodër 12
Berat 10
Kamëz 9
Fier 2
Mirditë 1
Korçë 1