Kryeministri Edi Rama ka bërë sot në mbrëmje komunikimin e fundit përsa i përket njoftimeve në lidhje me koronavirusin.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, u shpreh se kjo është java e fundit kur do të ndalohet kalimi përtej zonave të konsideruara si të kuqe.
Pavarësisht kësaj, Rama tha se përveç aktiviteteve sportive e kulturore, dasmat dhe funeralet, ku nuk lejohen të mblidhen shumë njerëz, të gjithë veprimtaritë e tjera do të veprojnë si më parë.
Ai foli edhe për transportin publik, por nuk dha asnjë datë konkrete se kur mund të rifillojë aktivitetin ky sektor i rëndësishëm. Shefi i mazhoranca më tej theksoi se, nga 1 qershori do të lejohet qarkullim i mjeteve në të gjithë vendin.
“Me përjashtim të aktiviteteve kulturore dhe sportive, dasmave, funerale ende s’do mund të mblidhen qindra njerëz bashkë, transporti publik që do rrijë i mbyllur edhe për pak dhe plazhet që do të ketë një masë sigurie, gjithçka tjetër do të jetë e hapur si më parë. Më 1 qershor do të hapim kopshtet dhe çerdhet, do hapin kufijtë tokësorë, do hapim qarkullimin e makinave në të gjithë vendin dhe natyrisht edhe plazhet do të jenë të hapura.
Kjo do të jetë java e fundit e zonave me ngjyra, e zonave të kuqe, dhe kjo fundjavë do të jetë e fundit me ndalim-kalim përtej çdo zone të kuqe. Detajet të premten kur të dalë urdhri zyrtar i autoriteteve shëndetësore, dhe ku unë me këtë faqe, do shpërndaj sa më shumë informacion mbi të”, tha Rama.
Në fjalën e tij drejtuar qytetarëve, Rama ka bërë një ‘mea culpa’, duke i kërkuar ndjesë të gjithë komentuesve që kanë lënë një shënim në faqen e tij në facebook.
Kreu i qeverisë i kërkoi falje të gjithë atyre që direkt apo indirekt, janë lënduar apo mërzitur nga përgjigjet e tij nëpër komente.
“Mirënjohje pafund dhe një borxh ndaj mjekëve dhe infermierëve. Edhe pse nuk e shlyejmë dot detyrimin njerëzor e qytetar, do të bëjmë çmos. Më vjen mirë që kjo kohë që tronditi botën, që ky armik mbylli brenda tërë popujt e botës, nuk na gjeti me spitale të vetëm pak viteve më parë. Me pavione pa ilaçe, pa sisteme ngrohje, pa çarçafë e batanije, e pa një banjo të vetme pa rrjedhje ujërash të bardha e të zeza e të verdha. Nuk na gjeti as pa respiratorët aq të kërkuar në mbarë botën. Akuzat e pabaza të opoziës ashtu si tymërat e makinave i mori era. E rëndësishme pas gjithë kësaj është rezultati, bilanci. Dhe broçkulat e atyre që shpifin nuk e zhbëjnë dot. Asnjë qeveri nuk është e përsosur, që kur ka lindur shteti, s’mund të shmangim dot vendime të diskutueshme e të gabuara, e jo më kritika për qasjen ndaj ndonjë problemi. Sidomos në kushte si këto. Në këtë rast nuk e kam të plotë analizën që i bëj vetes dhe punës sime, ende nuk e kemi bërë as analizën e skuadrës. Mirëpo dua të them, se nëse do të kthehesha mbrapsh nuk do t’i ktheja përgjigje asnjë komentuesi që më shan dhe ofendon në facebook. Unë nuk do ta bëja dot këtë punë pa pasion dhe pa gjak kur i thonë. I mbroj të vërtetat e mia. Ajo që di unë me siguri, është se nuk vras, nuk vjedh, nuk shantazhoj, nuk shpif, nuk fle para të tjerëve, nuk zgjohem pas të tjerëve. Unë nuk punoj për të jetuar, por jetoj për të punuar. Nuk jam, por dhe s’dua të jem politikani perfeksionist, që ka një fytyrë kur ndizen kamerat dhe një tjetër fytyrë kur fiken kamerat. Duke e vënë re se shumëkujt prej jush, përgjigjet që i jap atyre që më hidhen në fyt, i duken ironi dhe arrogancë, ndihem me faj dhe po ju kërkoj ndjesë. Pavarësisht se jam nisur me qëllim të mirë për t’i sqaruar me anë të facebook-ut. I kërkoj ndjesë, kujdo që direkt dhe indirekt mund ta kem lënduar me përgjigjet e mia”, tha Rama.
Rama e mbylli komunikimin me një këshillë për shqiptarët: “Mos harroni, lani sa më shpesh duart, sepse ai nuk ka ikur”.
“Ju lutem dëgjojeni mirë, armiku as ka ikur dhe as nuk është zhdukur. Numrat në Tiranë nuk po flasin mirë. Shfaqjet politike në Tiranë pa masa mbrojtëse, papërgjegjshmëri dhe në rastin më të keq dritshkurtësi, sa për të mbledhur firma vetëdiskretituese që janë në funksion të një partie të re, po luhet në fakt me zjarrin dhe me shëndetin e popullit. Bëni kujdes o njerëz, kujdes, kujdes, kujdes, se nuk ju vjen asnjë e keqe nga kujdesi. Pasojat do t’i kalojmë, edhe nervozizmat, por me shëndetin nuk luhet,” tha Rama.