Pak orë para protestës së lajmëruar nga Vetëvendosje dhe një ditë nga gjykimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin mbi qeverinë e re në Kosovë, presidenti dhe kryeministri kanë vijuar akuzat ndaj njëri-tjetrit.
Kreu i shtetit kosovar, Hashim Thaçi ka publikuar një video në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, e cila sipas tij dëshmon “inkriminimin e Grupit Kurti dhe familjes politike të Ministres së Drejtësisë”.
Ai shprehet se pamjet i përkasin një laboratori droge në Prishtinë, që sipas Thaçit me ndihmën e ministrit të Brendshëm, grupi i kryeministrit në detyrë ka tentuar t’i zhdukë si “fakte inkriminuese nga depoja e aseteve të konfiskuara”.
“Këto pamje dëshmojnë një prej inkriminimeve të Grupit Kurti dhe familjes politike të Ministres së Drejtësisë. Janë pamje nga laboratori i drogës në Prishtinë, që me anëtarin tjetër të këtij grupi kriminal, Xhelal Sveçlën, ditë më parë u përpoqën t’i zhdukin si fakte inkriminuese nga depoja e aseteve të konfiskuara dhe të sekuestruara. Është koha që të përballen me drejtësinë”, shkruan Thaçi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi gjatë ditës së sotme se qeveria e tij nuk do t’i nënshtrohet presioneve dhe akuzave të bëra nga presidenti Hashim Thaçi. Ai shkroi në “Facebook” se koha e regjimit të vjetër tashmë ka mbaruar.
“Regjimi i vjetër po shpurdh nëpër studiot televizive. Ata refuzojnë ta kuptojnë se koha e tyre ka mbaruar. Po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Sa herë që ne ua godasim korrupsionin, ata piskasin “Amelika, Amelika! Gleneli, Gleneli!”. Duan ta dëmtojnë imazhin e ShBA-ve në Kosovë, ta keqpërdorin atë si strehë për ultësinë e tyre”, shkruan Kurti në “Facebook”.