Ambasadorja amerikane Yuri Kim e nisi ditën e enjte me përpjekjen për të detyruar palët në gjetjen e një marrëveshjeje për reformën zgjedhore në Këshillin Politik.
Ambasadorja Amerikane ka zhvilluar takime jashtë vëmendjes së publikut me të katër përfaqësuesit partive në Këshillin Politik, që mund të interpretohet si një mosbesim i Shteteve të Bashkuara te aftësia dhe mbi të gjitha vullneti i klasës politike shqiptare për të përmbyllur reformën brenda kësaj jave, ashtu siç ka premtuar.
Kryediplomatja amerikane është takuar me Damian Gjiknurin, Oerd Bylykbashin dhe Rudina Hajdarin, ndërsa para mbledhjes së radhës të Këshillit Politik, që zhvillohet në orën 17:00 do të takohet edhe me përfaqësuesin e LSI-së në këtë këshill, Petrit Vasilin.
Ambasadorja Kim ka shfrytëzuar takimet në fjalë vetëm për t’u njohur personalisht me qëndrimet e palëve për çështje të caktuara dhe as ka komentuar dhe as ka sugjeruar ndonjë projekt për reformën zgjedhore.
Yuri Kim vazhdonte takimet e saj me aktorët politikë. Nga mazhoranca u takua me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe me kreun e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Takimi është zhvilluar në zyrën e kreut të Kuvendit dhe kryetema e diskutimit ka qenë pikërisht reforma zgjedhore. Nga njoftimi i shkurtër i shpërndarë nga Kuvendi mësohet gjithashtu se takimet me Ruçin dhe Manjën, Kim i ka zhvilluar ndarazi.
“Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës zgjedhore, të reformës në drejtësi dhe të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, pas momentit historik të vendimit për çeljen e negociatave nga Bashkimi Europian. Suksesi i reformës zgjedhore dhe i reformës në drejtësi është jetik për ecjen përpara të Shqipërisë, zhvillimin e vendit, konsolidimin e demokracisë dhe suksesin e proceseve integruese. Më herët, Ambasadorja Yuri Kim, pati një takim edhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, z. Ulsi Manja”, thuhet në njoftim.
Për reformën zgjedhore, Kim u takua të martën me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Basha i shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e Partisë Demokratike për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda 31 majit, një afat i vendosur nga vetë opozita.
h.e/Argumentum