Presidenti i Republikës, llir Meta, thotë se ndihet i kënaqur në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore në Shqipëri. Me një shënim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Meta shprehet se mezi pret që palët politike të mbajnë fjalën dhe të përmbyllin me sukses reformën brenda 31 majit.
“Për çështjen e Kodit Zgjedhor, jam i kënaqur, që sipas aktorëve politikë dhe diplomatikë, ka përparime. Mezi po pres që palët të mbajnë fjalën dhe në datën 31 maj 2020 të përmbyllin me konsensus ndryshimet që kërkohen me aq ngulm prej kohësh nga Bashkimi Europian, dhe partnerët e tjerë”, shkruan Meta.
Meta shprehet se do përgëzojë palët politike nëse do të arrijnë konsensus, ndëkohë pohon se pa humbur kohë do të firmosë ndryshimet e bëra. Ai në fund jep një paralajmërim të qartë për politikën, ku i kërkon të tregohet vigjilente dhe të miratojë reformën zgjedhore me vullnet të përbashkët, pasi në të kundërt, kjo qasje do kishte kosto për hapjen e negociatave me BE-në.
“Do ta duartrokas konsensusin dhe menjëherë do t’i firmos këto ndryshime sapo të vijnë! Por nëse ndryshimet në Kodin Zgjedhor, miratohen në mënyrë të njëanshme, do të ketë zero çelje negociatash të Shqipërisë me Bashkimin Europian, jo deri në zgjedhjet e ardhshme, por edhe deri në zgjedhjet e tjera që do vijnë pas tyre”, shtoi Meta.