Deklarata e zëvendëskryeministrit italian Luigi Di Maio se Franca shfrytëzon Afrikën dhe nxit emigracionin, nuk i ka pëlqyer aspak autoriteteve te Parisit.
Këto të fundit thirrën ambasadoren italiane në vend Teresa Castaldo. Të dielën, Di Maio i kërkoi Bashkimit Europian të vendosë sanksione kundër Francës, por politikat e saj në Afrikë. Sipas tij, Franca nuk e kishte ndalur kolonizimin në shtetet afrikane. Qëndrimin e tij zëvendës kryeministri italian e ripërsëriti një ditë më vonë.
“Nuk mendoj se është një rast diplomatik. Franca është një prej atyre vendeve që duke printuar para për 14 shtete afrikane pengon zhvillimin e tyre ekonomik e kontribuon në faktin se refugjatët largohen dhe vdesin në det. Nëse Europa do të tregohet e guximshme, duhet të luftojë çështje e dekolonizmit në Afrikë”, tha Luigi Di Maio.
Burime diplomatike franceze të cituara nga agjencia italiane ANSA i cilësuan komentet e Di Maios si armiqësore dhe si pa asnjë shkak, duke konsideruar partneritetin mes dy vendeve. Tensionet vijnë ndërsa 170 emigrantë besohet të jenë mbytur në dy tragjedi të ndryshme.
Parisi dhe Roma janë përplasur edhe në të kaluarën për çështje që kanë lidhje me emigracionin. Vitin e kaluar, Franca kritikoi Italinë pasi nuk lejoi ankorimin e anijeve që kishin shpëtuar emigrante në detin Mesdhe.