Ka përfunduar mbledhja e këshillit politik, por nuk janë arritur dakordësitë e kërkuara, megjithëse afati i përcaktuar dhe nga ambasada amerikane ishte 31 maji.
Pas katër orë negociatash, anëtarët e Këshillit Politik për reformën zgjedhore kanë dalë nga takimi pa arritur konsensus. Mbledhja është mbyllur pa marrëveshje. Diskutimet dhe negociatat pritet të vijojnë ditën e nesërme.
Përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili deklaruan se opozita ka bërë propozimet e saj dhe tashmë i takon qeverisë të reflektojë.
Bylykbashi: Në bëmë propozimet tona, por PS nuk ishte e gatshme. Opozita nuk heq dorë nga garancitë e votës së qytetarëve. Ne jemi të gatshëm për të vazhduar punën për konsens dhe presim që PS të bëjë hapet e nevojshme për këtë konsensus.
Gjithë përpjekjet e PS-së që të mbajë privilegjet që ka, nga kontrolli i KQZ-së, tregojnë vlerën që ka vendimi dhe propozimi ynë për një qeveri kujdestare, pasi ata duan të krijojnë boshllëqe të mëdha.
PS nuk ishte e gatshme që të hiqte dorë nga privilegjet e qeverisë ndaj procesit zgjedhor. Ju e keni parë që qeveria i shfrytëzoi këto privilegje, duke i prishur zgjedhjet.
Le t’i japim kohë PS pse nuk mund ta ketë KQZ-në si një vulë të njomë për të mbyllur rezultatet. KQZ nuk mund të jetë pronë e PS.
Bisedimet në Këshillin Politik janë bllokuar tek çështja e administrimit zgjedhor.
Mësohet se Partia Socialiste nuk pranon variantin e kompromisit të ofruar në tryezë për të depolitizuar administratën zgjedhore, duke mos u tërhequr nga varianti i saj i parë.
Kjo është arsyeja përse në mbledhjen e Këshillit Politik ka shkuar edhe një përfaqësues i ambasadës së SHBA, e cila, siç citojnë burime të mirëinformuara, mbështet variantin e kompromisit.
Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari deklaron se partitë u tërhoqën në momentin e fundit.
Dua të falënderoj përzemërsisht ambasadën amerikane që u ngujuar sot në këtë mbledhje për të dhënë zgjidhje për reformën zgjedhore. Edhe këtë radhë partitë politike dështuan për të dhënë një zgjidhje.
Pse mendoni ju që vjen ambasada amerikane këtu në këtë ndërtesë? Vetëm se mbrojnë interesat e shqiptarëve. Këta ja mbyllën derën edhe shqiptarëve edhe ambasadës amerikane.
Koha do i tregojë të gjitha. Kjo reformën zgjedhore duhet të ketë bekimin e shqiptarëve por sot nuk e ka. Edhe pse ambasada amerikane u investua për këtë reformë, këta nuk e morën fare parasysh. Se ku e kanë hallin nuk e dini?
E kanë hallin te vetja e tyre. Sot ambasada amerikane nuk e mori premtimin për trë ardhur në një dakordësi, është shumë e trishtuar. Të dashur qytetarë duhet ndryshimi i sistemit zgjedhor.
Loja është e hapur akoma dhe nuk kemi ndryshim sistemi por kemi një investim tjetër që ne do vazhdojmë të rifutemi në lojë. Ne nuk do të dorëzohemi nga ndryshimi i sistemit. 2 partitë politike dështuan, dështuan klasa e vjetër politike”, tha Hajdari.
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, deklaroi pas mbledhjes së Këshillit Politik se opozita nuk do jepte asgjë në këmbim të identifikimit biometrik të zgjedhësve.
Vasili deklaroi se PS ende nuk ka dhënë konsensus. “Nuk është çështje pazaresh. Bëhet fjalë për votën. Identifikimi biometric është esenciale. Kjo do të thoshte rritje të garancive dhe jo rënie të garancive minimale, të dominuar nga votimet moniste të 30 qershorit kur gjithçka numërohej vetë. Pra të ketë një numërim, votim, nxjerrje rezultati që e bën të gjithin vetë. Jeni dëshmitarë për këtë. PS po pret të dalë nga gjumi parizien shkaktari i vetëm. Në rast se pranuam që të ecim drejt një depolitizimi të komisioneve të administrimit zgjedhor, mund të hidhej në këmbim të identifikimit biometrik, pa një garanci të tillë s’mund të ecet në elementë të tjera”,- tha Vasili.
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Këshillin Politik të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri paralajmëron votim të njëanshëm të Kodit të ri Zgjedhor, nëse në ditët në vijim nuk do të ketë një marrëveshje përfundimtare me opozitën jashtëparlamentare.
“Nuk mundet që pasi biem dakord në disa kërkesa që janë parakusht dhe me dëshmitarë ndërkombëtarë të cedohet dhe të dalë me kërkesa të tjera. Unë nesër do të informoj Kuvendin. Dyert dhe dritaret e komunikimit janë të hapura “
Gjiknuri thotë se paketa është gati e përfunduar por do të vijohet dhe Shqipëria do të ketë një Kod të Ri Zgjedhor para zgjedhjeve të 2021 dhe do të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar.
”Kemi trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR, palët që kanë pasur shqiptarët dhe është munduar të adresojë propozimet e opozitës. Kemi një paketë gati të përfunduar.
Ne kemi gjetur hapësirën dhe do i përfshijmë ato. Por nuk mundet që pasi biem dakord dhe për kërkesat parakusht për zgjedhjet, të fillohet dhe të cedohet dhe duke dalë nga kërkesat. Ne nuk e humbim qetësinë. Nesër do informoj Kuvendin ku do paraqes paketën e dytë, dyert dhe dritarët janë të hapura për të përmbyllur ato pak gjëra që kërkojnë.
Kemi adresuar edhe kërkesat më serioze që opozita i kishte parakushte. Edhe ato që para 2 ditësh i quanin parakushte ne i kemi adresuar.
Miqtë ndërkombëtarë inkurajuan dialogun. Nuk kam ardhur të interpretoj të vërtetat. Ne kemi adresuar kërkesat që asnjë opozitë nuk mund të ketë imagjinuar. Do i bëj me pika pjesën më të madhe të kërkesave të opozitës, do çuditeni kur për disa thoshin këtë ose s’ka, ndërsa më pas heqin dorë.
© Argumentum