Lulzim Basha ndodhet në një presion të mëdha orët e fundit për të vendosur firmën në marrëveshjen e arritur në rezidencën e Ambasadës Amerikane me Partinë Socilaiste.
Në 9 orë negociata të ditës së martë, palët folën me një gjuhë të drunjtë ku pak u mor vesh se për çfarë ishte rënë dakord dhe jo.
Argumentum.al mëson se Partia Demokratike duket se ka fituar kërkesën kryesore të saj; identifikimin biometrik të votuesve mundësisht në të gjithë vendin, edhe pse, PS parimisht nuk ka qenë kundër, por e pamundur sipas saj të shtrihej në të gjithë Shqipërinë referuar edhe ekspertëve të ODIHR që e shihnin të mundshëm zbatimin vetëm në 10% të territorit.
Në tryezë nuk është pranuar kërkesa e shtuar e PD-së, që ankesat zgjedhore të shqyrtoheshin nga Gjykata Kushtetuese, kërkesë kjo që kërkonte në fakt edhe një ndërhyrje në Kushtetutë.
Paraprakisht, nga PD-ja mësohet se është rënë dakord nga palët që zgjedhjet të “drejtohen” nga ana administrative jo nga KQZ, por nga një krye-komisioner që do të asistohet nga një këshill ankesash i përbërë nga pesë anëtarë, tre nga mazhoranca dhe dy nga opozita.
Palët kanë mbetur tek një çështje për të cilën Basha foli vetëm si numër, por nuk u fut në detaje që lidhet me përbërjen e KZAZ-ve dhe KQV-ve.
Opozita kërkon që komisionet të përbëhen nga tre komisionerë të depolitizuar, ku kandidaturat të vijnë edhe nga jashtë administratës.
Por për pjesën tjetër, PD-ja propozon që të jenë katër vëzhgues, dy nga mazhoranca dhe dy nga opozita, me kushtin që të kenë të drejtën e shënimit në procesverbal për vërejtjet që mund të kenë..Pra, të kenë një lloj roli edhe në vendimmarrje, gjë që PS nuk e pranon.
Nuk dihet ende se çfarë formule do të hidhet sot në tryezë (në këtë drejtim), ku ambasadorët tanimë u mblodhën veças, ndërsa nga selia blu nuk ka ende një sinjal nëse do të vijojnë ose jo negociatat, pikërisht për çështjen për të cilën foli Basha.
Ajo që dihet deri më tash është se palët ngecin në detaje teknike, ndërsa për kërkesat politike si krijimi i një qeverie teknike apo emërimi i një kryepolici për zgjedhjet, Këshilli Politik nuk e ka marrë asfare në konsideratë.
Orët në vijim do të sqarohet nëse do të firmoset ose jo marrëveshja, e cila tashmë duket se është e përfunduar.
h.e/Argumentum