Nuk janë ata të Kosovës. As ata të Maqedonisë. Por të Malit të Zi. Atyre të cilëve këto ditë u ka shkuar t’u qëndrojë afër vetë kreu i shtetit të shqiptarëve të legjitimuar në territorin zyrtar që mban emrin “Shqipëri”.
Pasi ngjan se janë përmbyllur njëherë e mirë “hallet” e shqiptarëve të Maqedonisë, këtë herë “platforma” e Tiranës zyrtare duket se po ngjizet në një tjetër shtet fqinj, ku ka një pakicë shqiptarësh. Me shqipen si gjuhë të dytë zyrtare, pse jo, edhe me cungimin e Maqedonisë që në emërtimin e saj tashmë vetëm si “E Veriut”, Tirana duket se i ka “larë duart” njëherë e mirë me të dhe ka nisur rrugëtimin në një kah të ri të Ballkanit: Në polin e tretë të shqiptarëve…
Deri më sot, ata janë dukur jo vetëm si më të largëtit, por edhe më enigmatikët, pse jo edhe si shqiptarët më pak problematikë të rajonit. Kjo, edhe pse ata asnjëherë nuk kanë luftuar për nacionalizmin e tyre, madje as janë munduar që ta vënë në dukje fort atë. Në paqe mesa duket me të vetët, por edhe me të tjerët, kjo pakicë i ka krijuar më pak konflikt vetes dhe rajonit, e në të njëjtën kohë, një komoditet bashkëjetese, nga e cila janë prodhuar më pak probleme se në rajonet e tjera ku jetojnë shqiptarë. Edhe pse këto nuk është se mungojnë, të paktën siç është përpjekur të vërë në dukje kreu i shtetit shqiptar gjatë takimeve me ta, por edhe me autoritetet e larta malazeze.
“Dëshirojmë që shqiptarët të kenë një përfaqësim edhe më përfshirës edhe në nivel vendor edhe në nivel kombëtar”, ka qenë një deklaratë nxitëse e Metës ndaj pakicës së Tuzit, që në zgjedhjet e afërta vendore, ajo të sigurojë me çdo kusht një përfaqësim sa më të madh në organet e reja drejtuese.
“Kreu i shtetit i kushtoi vëmendje të posaçme respektimit, mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, duke inkurajuar nisma ligjore mbështetëse ndaj përdorimit të gjuhës, ruajtjes së simboleve, dhe identitetit kulturor të shqiptarëve si dhe për përfaqësimin e tyre proporcional në nivel qendror dhe lokal, duke i shërbyer bashkëjetesës harmonike në Mal të Zi si dhe bashkëjetesës rajonale. Duke shprehur kënaqësinë që shqiptarët janë të përfaqësuar përmes z. Genc Nimanbegu në Parlamentin malazez, i cili mban njëkohësisht edhe detyrën e nënkryetarit të Parlamentit, Presidenti Meta tha se shpreson që ky përfaqësim të rritet edhe më tej duke i kontribuar si kuptimit më të mirë dhe plotësimit të nevojave të komunitetit shqiptar ashtu edhe shërbimit të interesit më të mirë të Malit të Zi”, thuhet më tej në një njoftim të posaçëm të Presidencës shqiptare, në kuadrin e takimeve zyrtare që kreu i shtetit shqiptar ka zhvilluar në Malin e Zi.
Takime këto, të cilat kulmuan në fakt me atë të homologut të tij malazez, Milo Gjukanoviç. “Pavarësisht nga fakti që marrëdhëniet tona janë shembullore, jemi ende nën potencialin real të këtij bashkëpunimi, por kam besim se kjo do të vijë dhe gatishmëria e veçantë e Presidentit Gjukanoviç do t’i japë një shtysë të re të gjitha projekteve tona”, do të shprehej në prani të tij Meta. Për të vijuar edhe me dhënien e një liste konkrete projektesh, mbi të cilat sipas tij do të ecin në të ardhmen këto dy vende, anëtare të NATO-s dhe inspiruese të Bashkimit Evropian.
“Autostrada Adriatiko-Joniane, po kështu projekti mjaft i rëndësishëm për lidhjen edhe të Malit të Zi përmes gazsjellësit që është duke përfunduar, pra të TAP-it, janë dy projekte madhore të cila së bashku me ruajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e integruar dhe të qëndrueshëm të Liqenit të Shkodrës dhe zonave rreth tij, të ujërave të tjera të përbashkëta, të Pikave të Kalimit Kufitar, ndërtimi i korridoreve rrugore, që i lidhin ato dhe shumë projekte të tjera ndërkufitare, si në kuadër të bashkëpunimit rajonal, ashtu edhe në kuadër të integrimit europian, do të sjellin një mundësi të shkëlqyer për t’u dhënë zgjidhje pengesave, që ende hasin qytetarët në të dy anët e kufirit, si në jetën e tyre të përditshme, ashtu edhe në planin e shkëmbimeve të natyrshme njerëzore, kulturore, tregtare, ekonomike apo për të zgjidhur edhe problemet mjedisore, që janë aq të rëndësishme për dy vendet tona që kanë një potencial të fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm e sidomos për zhvillimin e turizmit”, ka pohuar Meta.
Për të nxjerrë më pas “kokën” “me integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në Malin e Zi dhe po kështu me respektimin e të drejtave të pakicës malazeze në vendin tonë”. Sepse në këtë mënyrë sipas tij, i shërbejmë “edhe forcimit të paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit në rajonin tonë”.
Që të gjitha këto, deklarata të bëra në krah të një njeriu si Gjukanoviçi, i cili duhet thënë se jo në pak raste nuk është bërë në fakt aspak simbol i këtyre të fundit…
Për më tepër, deklarata që vijnë në një kohë kur vetë kreu shtetit shqiptar nuk është se i ka fort mirë punët në Tiranë me të vetët. Një konflikt i fortë ka shpërthyer mes tij së fundmi dhe kryeministrit Edi Rama, i cili po ujitet nga dita në ditë me mosdekretime ligjesh dhe kundërvënie për emërime nga më të ndryshmet. Pse jo, edhe me të tilla lëvizje të Metës nëpër Ballkan, duke takuar Gjukanoviçin dhe duke sfiduar me të rivalin e tij politik në Tiranë, (tashmë edhe ministër i Punëve të Jashtme), i cili dihet se është duke kaluar ende kohë të bukura me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në emër të të ashtuquajturit “Proces i Berlinit”, “integrimi evropian”, e të tjera pallavra si këto.
E parë në këtë mënyrë, më shumë se një vizitë frytdhënëse dhe me një optikë të qartë diplomatike, apo synime të qarta kombëtare, kjo e Metës në Malin e Zi, duket më shumë një vizitë e çorientuar dhe me interesa momentale politike, që nuk shfaq aspak qartë “platformën” e radhës të Tiranës zyrtare për Malin e Zi. Siç në fakt, u dëshmua të ishte ajo për Maqedoninë, e cila synonte zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe forcimin e pozitave në këtë vend, gjë edhe e cila ndodhi në fakt siç e pamë me zhvillimet e fundit…