Për GSH dhe ARGUMENTUM
Dr. Jorgji KOTE
Më 4 Qershor në mbrëmje, mes një interesimi të jashtëzakonshëm, pyetjes në Televizionin kryesor gjerman « ZDF » nëse do të rikandidonte për mandatin e pestë në zgjedhjet parlamentare në shtator 2021, Kancelarja Merkel iu përgjigj qartë dhe prerë «Nein, Nein, Nein !» Kjo « Jo » u konsiderua emblematike sepse u shpall kur Merkel ndodhet në zenitin e saj politik dhe kur fitoren « e ka në xhep ».
Për më tepër kur historikisht ka patur liderë politikë të këtij kalibri të cilët janë mbajtur ” me hir apo pahir” pas karrikes së pushtetit, megjithë moshën tejet të avancuar dhe gjendjen e rëndë shëndetësore. Nuk e kemi fjalën për liderë të kthyer në diktatorë, si Robert Mugabe, që dhe pse në moshën 93 vjeçare, pas 30 vjet rresht si President i Zimbabvesë dhe plot probleme nuk shkulej për kiamet nga zyra. U desh një grusht i sajuar shteti që e detyroi të bënte një largim të butë më 2017 derisa ndërroi jetë dy vjet më vonë. Jo, jo, fjala është për liderë karizmatikë që kanë bërë epokë dhe histori. Ja psh, në Algjeri, Ahmed Bouteflika, me gati 60 vjet në funksione ministeriale dhe në 20 vitet e fundit si president i Algjerisë; ndonëse më 2013 kaloi një paralizë të rëndë celebrale, çka ia bënte të pamundur shfaqjet në publik, më 2019 kërkonte tjetër mandat; u tërhoq vetëm pas protestave masive.
Këtë « huq » që gjithsesi nuk ua zbeh vlerat dhe meritat e tyre e kanë patur dhe disa « burra shteti » gjermanë. Konrad Adenauer « Babai » i Gjermanisë moderne, u zgjodh Kancelari i saj i parë më 1949 në moshën 73 vjeç; qëndroi për 14 vite deri në moshën 87 vjeçare me shumë arritje të njohura, sidomos pajtimi historik me Francën, krijimi i BE-së, etj. Mirëpo, ndonëse për të kishte filluar « disheza « politike dhe me daljen në skenë të yjeve të tjerë politikë, Adenauerit nuk i ikej nga pushteti, duke krijuar probleme dhe në lidershipin e CDU-së. Me shumë debate dhe presion u detyrua t’ia linte vendin « babait » të mrekullisë ekonomike gjermane, ministrit të tij legjendar të ekonomisë, Ludvig Erhard.
Kjo histori u përsërit 30 vite më vonë, në prag të zgjedhjeve parlamentare në shtator 1998; kur idhtarët, e sidomos rinia e CDU-së iu lutën ish-Kancelarit emblematik Helmut Kohl të hiqte dorë nga kandidimi për mandatin e pestë. Me vlerësimin më të lartë për arritjet e tij të mëdha, sidomos shembjen e Murit të Berlinit, pas viteve 90 për shkak të kostove të mëdha të ribashkimit gjerman/ europian dhe moskryerjes së reformave të nevojshme, vendi kishte filluar të ndeshej me sfida serioze të vështira për t’u përballuar nga Kohl. Mirëpo ai nuk ua vuri veshin atyre sugjerimeve; rikandidoi dhe humbi keq përballë social-demokratit karizmatik Gerhard Schroder, i cili mishëronte frymën e re politike që po përfshinte Gjermaninë.
E pra, krejt e kundërta po ngjet sot me Angela Merkel. Në Nëntor ajo bën 15 vjet dhe vitin e ardhshëm do të barazojë rekordin e Kohl me 16 vite si Kancelare. Shumë është folur kohët e fundit mbi largimin e saj nga politika aktive; madje me parashikime të zymta pas vitit 2015 kur në kulmin e krizës së azilit ajo bëri pohimin historik « Ne do t’ia dalim ( Wir schaffen das ) Pastaj disa humbje të rënda zgjedhore të CDU-së në disa lande dhe ato europiane bashkë me rrezikun e populistëve dhe euroskeptikëve; aq sa në Dhjetor 2018 Merkel la kreun e CDU-së dhe njoftoi fundin e Kancelarisë së saj në vjeshtën 2021. Në fakt, këto ishin veprime që e çtensionuan ndjeshëm gjendjen politike në Gjermani.
Mirëpo, çuditërisht, atëhere kur mendohej se Merkel ishte në perëndim apo një « lame duck» sipas zhargonit politik, ajo filloi të shfaqej kudo me integritet, më e fuqishme dhe bindëse. Ndërsa muajt e fundit « Merkelmania ka pushtuar jo vetëm Gjermaninë por gjithë planetin, falë dhe menazhimit të suksesshëm të koronavirusit; Merkel është në « Olimpin e vet » me një pëlqim popullor prej 80 për qind dhe kur më shumë se gjysma e duan Kancelare dhe tej vitit 2021.
Ky « Nein « bëhet emblematik sidomos kur i referohesh moshës së saj; sapo ka mbushur të 65-t, pra relativisht e re për një karrierë të tillë megabrilante; ndryshe nga Adenauer dhe Kohl ajo është e kërkuar si asnjëherë më parë në skatierën elitare të politikës gjermane dhe europiane; pa kurfarë konkurrence, nga brenda apo nga jashtë CDU-së, Gjermanisë dhe BE-së.
Kjo nuk është fare rastësi, por fryt i cilësive dhe kapaciteteve të saj të saj të pashoqe. Merkel mishëron tiparet më të mira të lideres moderne; kjo duket qysh në prononcimet e saj në Bundestag, në konferenca shtypi dhe gjetkë; te stili dhe statura e saj politike; gjakftohtësia dhe qetësia olimpike, kujdesi në përzgjedhjen e çdo fjale, timbri i zërit, asnjëherë në tone të larta, “higjiena” e të folurit publik, pa fjalë fyese, batuta dhe insinuata; shtjellimi i një problemi pa përmendur emra të përveçëm politikë e ca më pak etiketime, sulme dhe aludime ndaj kundërshtarit, sado i egër dhe i paarsyeshëm qoftë, pa kurfarë euforie, protagonizmi dhe triumfalizmi, por as pezmatim dhe nervozizëm.
Gjithashtu, sjelljet/veprimet politike të Merkel janë pasqyrim besnik i punës në ekip qeveritar; me një integritet moral dhe politik absolut, ku në 30 vite në politikë nuk ka patur qoftë dhe një aludim apo dyshim sado të vogël, sepse “ afera” për Merkel nuk njihet as si fjalë!!
Mbi të gjitha, popullariteti i Merkel buron nga përvoja/mjeshtëria e saj unikale në administrimin e krizave dhe konflikteve të brendshme dhe të jashtme. Nga viti 2005 e në vijim ajo ka sfiduar, natyrisht me mungesat dhe mangësitë e rastit, më shumë kriza/konflikte se Trump/Obama, Sarkozi/Hollande e Macron dhe May/Johnson të marrë së bashku! Janë kriza me emra rrënqethës – bankare, financiare në Greqi, Itali e Portugali, terrorizmi ndërkombëtar, situatat dhe përmbysjet e dhunshme politike në Lindjen e Mesme, ndërhyrjet ushtarake ruse në Krime dhe Ukrainën Lindore, Megakriza e azilit më 2015, BREXIT.
Gjithsesi, tipari i saj më dallues nga kushdo lider tjetër në botë është konkretizimi dhe pasurimi i këtyre cilësive dhe vlerave politike me rezultate të prekshme në të gjitha fushat. Më konkretisht, menazhimi i përkryer i koronakrizës dëshmon qartë se qeveria gjermane në 15 vitet “ Merkel” ka vlerësuar si askush tjetër kujdesin mjeksor dhe shëndetësinë. Mjafton të përmendim se GDP-ja gjermane për shëndetësinë është 34 kurse te Franca 15 për qind; ajo ka 6 herë më shumë shtretër për 100.000 banorë se Italia dhe dy herë më shumë se Franca; bën 7 herë më shumë testime se Britania e Madhe dhe mbi 4 herë më shumë se Franca. Ndonëse me popullsi më të madhe, në Gjermani ka 4 herë më pak viktima se në Francë, madje më pak dhe se Belgjika me 11 milion banorë!
Por, mrekullia gjermane e radhës nuk mbaron këtu; javën e kaluar Qeveria Merkel i surprizoi gjermanët dhe kundërshtarët politikë me planin e ri të ringritjes së biznesit post – COVID – 19 me Fondin e ri prej 130 Miliard Euro, baraz me 4 për qind të GDP-së me 50 nisma ekonomike në të gjitha fushat! E kush në botë nuk e lakmon atë?
Në një plan më të gjerë, megjithë vonesat dhe hezitimet e para për shkak dhe të specifikës së koronës, Merkel është vënë në krye të demarsheve të BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar për ndihmë/solidaritet ndaj Italisë, Spanjës dhe vendeve të tjera më të prekura. Kulmi u shënua më 18 Maj, kur së bashku me Presidentin Macron ajo propozoi krijimin e një fondi gjigand social-ekonomik prej 500 Miliard Euro, në formën e ndihmave dhe granteve pa kthim, ku Gjermania do të ketë “ pjesën e luanit” me ¼ e shumës; kësisoj, ajo theu tabunë e mosmarrjes së borxheve të përbashkëta që deri tani ka qenë “ mollë e ndalueme”.
Ky projekt u mbështet nga Komisioni Europian, duke i shtuar dhe 250 miliard Euro të tjera dhe pritet të miratohet javët e ardhshme. Falë këtyre masave, ndryshoi shumë shpejt dhe imazhi publik i Merkel dhe i BE-së, nga “dorëshrrënguar” në “ bujarë dhe zemërgjerë”; duke filluar nga Italia, ku nga insinuata dhe qortimet, tani Merkel dhe Gjermania po marrin lëvdata dhe brohoritje! Kështu, Merkel i bëri “ sus dhe zap” populistët dhe ekstremistët kudo ku janë! Ndaj “ Merkelina” po vlerësohet kudo si “ vaksina” më e mirë politike ndaj koronës dhe çdo virusi tjetër!
Këtu vlen të theksohet se pavarësisht nga kjo barrë e jashtëzakonshme, Gjermania dhe sidomos Merkel nuk e “ lanë në baltë” Ballkanin dhe Shqipërinë; përkundrazi; Procesi historik i Berlinit vijoi disa muaj më parë me 1,15 Miliard Euro për Tërmetin e 26 Nëntorit ku BE, Gjermania dhe Franca etj ishin kontribuesit kryesorë; pastaj paketa rajonale me 3,3 Miliard Euro për koronën deri te “PO”-ja për çeljen e negociatave tona me BE-në. Po aq e rëndësishme, Merkel është shpëtimtarja e madhe e Kosovës, stabilitetit rajonal e më gjerë, këtë radhë me “ JO”-në e saj kategorike ndaj tezave ogurzeza të ndryshimit, korrigjimit apo shkëmbimit të territorit!
Ja pse ky «Nein» Merkelian ka domethënie të madhe politike dhe si model/standard i ri për t’u ndjekur kudo. Ai jep mesazhin se në kushtet e botës së sotme tejet komplekse e plot sfida, sado i suksesshëm të jetë një lider( e) politik( e) vjen momenti kur duhet t’i thotë lamtumirë pushtetit e t’u hapë rrugën ndryshimit, brezave dhe alternativave të reja cilësore. /gsh
© Argumentum