Pesë parti politike shqiptare në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – që njihet edhe si Lugina e Preshevës – janë marrë vesh që në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore.
Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës thonë se është shumë e rëndësishme që partitë politike kanë arritur një unifikim që bashkë të marrin pjesë në zgjedhje.
Ata thonë po ashtu se synimi i tyre është arritja e të paktën tri ulëseve në Kuvendin e Serbisë.
Shaip Kamberi, kryetar i komunës së Bujanocit, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhje ka për qëllim fuqizimin e shqiptarëve në aspektin politik.
“Ne synojmë pra arritjen e tri mandateve meqë kësaj here për herë të parë janë pesë partitë kryesore të angazhuar në një listë të përbashkët. Kjo e jep mundësinë që realisht mendojmë se do të arrijmë të sigurojmë tri mandate”, tha Kamberi.
Partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, kanë arritur marrëveshje në fillim të ketij viti në Tiranë, me ndërmjetësimin e ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.
Shqiptarët që jetojnë në komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc thonë se ndaj tyre bëhet diskriminim i vazhdueshëm nga shteti serb.
Ndërkohë Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj sot ka mbërritur për vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës. Në fokusin e këtij takimi është gjendja e shqiptarëve në komunat Presheva, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe platforma e përbashkët shqiptare për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Ai theksoi se gjatë vizitës do të takoj jo vetëm përfaqësuesit e komunave, partive politike, por edhe me shoqërinë civile, operatorët ekonomik, etj.