Kur qeveria e re e kryeministrit Avdullah Hoti u votua, ajo mori bekimin e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe.
Periudha kur në krye të shtetit kosovar ishte Albin Kurti, pati mjaft turbullira, e një ftohtësi sa i përket dialogut me Beogradin. Duket se kjo binte ndesh me planet e ambasadave, në lidhje me të ardhmen në Kosovë. Nga dita në ditë, po bëhet më e qartë se fuqitë e mëdha kërkojnë një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.
Mesazhin e kanë marrë qartë, si Beogradi, ashtu edhe Prishtina. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot pret që në një të ardhme të afërt të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Deklaratën e bëri te memoriali i ushtarëve të rënë të KFOR-it, gjatë luftës në Kosovë.
Thaçi tha se beson fuqishëm në përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mundësuar arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e cila sipas tij, do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB.
Ndërsa Kosova ka hequr pengesat për rifillimin e dialogut. Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç më shpesh e përmend faktin se nga bisedimet me Kosovën, do të jetë e pamundur që Serbia të dalë e fituar. Sipas tij, presioni është shumë i madh.
Me zgjedhjet që po afrojnë kreu i shteti ndihet në stres dhe se zgjidhja e problemit me Kosovën është e vetmja çështje që po e lë pa gjumë.
“Arsyeja e vetme pse unë s’mund të fle është Kosova. Nuk më intereson për ekonominë. Dhe ajo çfarë mund t’u them njerëzve është që do të luftoj edhe më shumë sesa në të kaluarën”, ishte deklarata e Vuçiçit, që shtoi se pret të rritet presioni për të gjetur një zgjidhje finale.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump konfirmoi angazhimin e forcave amerikane në Kosovë.
“Shtetet e bashkuara do të vazhdojnë të kontribuojnë në forcat e KFOR-it, të udhëhequra nga NATO-ja, në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët bilateralë dhe institucionet ndërkombëtare, për të penguar ripërtëritjen e armiqësive në Kosovë”, ishte letra e Trump-it, dërguar kryetares së dhomës së përfaqësueseve Nancy Pelosi dhe presidentit të përkohshëm të senatit Chuck Grassley.
Aktualisht, në kuadër të misionit të KFOR-it janë angazhuar 460 ushtarë amerikanë, nga 4 mijë trupa sa janë në total. Në mars të këtij viti, dy senatorë kërkuan që Shtetet e Bashkuara të rishqyrtojnë praninë në Kosovë nëse nuk shfuqizohej taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë.
I dërguari special i Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell është shumë i angazhuar në këto muaj të fundit, që të dyja shtetet të riulen në tavolinën e bisedimeve.
Uashingtoni pret zgjidhjen përfundimtare, e ai po punon të arrihet.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikat e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Joseph Borrell, ndërsa ka theksuar faktin se dialogu është i domosdoshëm, ndryshe nga qëndrimet te mëparshme, u shpreh se “unioni në rast të dakordisë Prishtinë-Beograd nuk do ta kundërshtonte ndryshimin e kufijve, edhe pse nuk e pëlqen atë”.
Nga aktorët politikë në Kosovë, janë hedhur poshtë zërat, për ndryshim kufijsh, porse kjo nuk është përjashtuar. Në tavolinën do të diskutohet për gjithçka. Pikë së pari, si Prishtina, ashtu edhe Beogradi po mendojnë për zgjidhjen finale, e të nxitura nga Uashingtoni dhe Brukseli, duket se nuk do të vonojë. Por me çfarë çmimi?