Z.Mikhail Afanasiev ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri në një intervistë për Euronews Albania foli për marrëdheniet ndërmjet dy shteteve por dhe për synimin e rusisë në Ballkan.
“Gadishulli i Ballkanit është i rëndësishëm për Rusinë. Nuk e fshehim këtë. Rusia ka qenë prej kohësh e pranishme në Ballkan, jo 30-40 vitet e fundit, por prej disa shekuj. Rusia është e interesuar që në këtë rajon, i cili nuk është shumë larg kufijve tanë, të mbretërojë paqja, stabiliteti, qetësia dhe prosperiteti ekonomik. Për ne kjo është e rëndësishme si nga pikëpamja e sigurisë sonë, ashtu edhe nga pikëpamja e bashkëpunimit ekonomik, me dobi të ndërsjellë, me të gjitha vendet e rajonit. Ne të gjithë jemi fqinjë, pjesë e një rajoni, ku shtrihet Deti i Zi, meqë ra fjala, Shqipëria, gjithashtu, është vend anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, theksoi Ambasadori rus në Tiranë.
A janë të ngrira marrëdhëniet Rusi-Shqipëri? Ambasadori i Rusisë në vendin tonë, z. Mikhail Afanasiev tha në studion e Ilva Now se “nuk është Rusia pala që po pengon bashkëpunimin midis dy vendeve.”
“Do t`ju them sinqerisht se Rusia është e interesuar të zhvillojë marrëdhëniet me Shqipërinë në të gjitha fushat. Në Moskë mendojnë se për këtë ekzistojnë të gjitha parakushtet e nevojshme,” u shpreh z. Afanasiev, duke shtuar keqardhje që format e bashkëpunimit janë shumë të pakta.
Duke u thelluar në marrëdhëniet ruso-shqiptare, ambasadori kujtoi si shembull pozitiv bashkëpunimin shqiptaro-rus gjatë Bashkimit Sovjetik dhe tha se Rusia është e gatshme t’i propozojë Shqipërisë bashkëpunim në shumë fusha.
Gazetarja Ilva Tare e pyeti diplomatin Afanasiev lidhur me raportimet mediatike ruse që e përshkruajnë Shqipërinë me nota islamike, të kriminalitetit të lartë dhe “Shqipërisë së Madhe”.
“Personalisht nuk kam dëgjuar asnjëherë vlerësime negative të Shqipërisë nga ana e opinionit publik rus apo rrethet proqeveritare të vendit tim. Historikisht Shqipëria është konsideruar një shtet miqësor. Përsa i përket karakteristikave të Shqipërisë si një shtet kriminal, islamik apo ekstremist, ato gjenden në botimet e disa mediave, të cilat nuk pasqyrojnë këndvështrimin zyrtar,” u përgjigj diplomati.
Z. Afanasiev komentoi gjithashtu deklaratat e kryeministrit Edi Rama në takimin me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov për qëndrimin e Shqipërisë krah NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.
“Të zgjedhësh miq ose partnerë për vete është një e drejtë e padiskutueshme e secilit vend. Nëse pala shqiptare e vendos vetë veten në korniza kaq të ngushta, ne s’kemi ç’interpretojmë. Megjithatë dua të rikujtoj se bota e sotme ka kohë që ka humbur unipolaritetin e saj,” u përgjigj përfaqësuesi rus në Shqipëri.
Një tjetër temë delikate e trajtuar gjatë intervistës në Euronews Albania ishte zotimi i kryeministrit Rama për rishikimin e marrëveshjen me Rusinë të nënshkruar në vitin 2004 me qeverinë socialiste të asaj kohe.
“Jemi në fazë rishikimi të asaj marrëveshjeje apo nuk jeni ulur ende të nisni ndryshimet në atë?” pyeti znj. Tare.
“Do të doja të sillja disa shpjegime lidhur me këtë informacion, i cili nuk është plotësisht i saktë. Marrëveshja për miqësinë dhe bashkëpunimin, e sigluar nga ministrat tanë të jashtëm në 2004, për fat të keq, nuk u nënshkrua, dhe për këtë arsye nuk ka hyrë në fuqi. Prandaj, nuk mund të flasim ende për zbatimin e saj. Nëse pala shqiptare dëshiron të rregullojë përmbajtjen e saj në përputhje me realitetet aktuale, atëherë ne jemi të gatshëm të përmbushim kërkesat e saj në mënyrë të arsyeshme. Deri më tani, ne nuk kemi parë synime të tilla,” tha ambasadori Mikhail Afanasiev.
Diplomati tha se ishte i tronditur thellë nga votimi në parlament i rezolutës ku dënohej ndër të tjera përfshirja e Rusisë në proceset elektorale në Shqipëri.
“U trondita thellë dhe ende nuk mund të gjej një shpjegim se në cilat fakte u bazuan këto pohime. Është e vërtetë, në Shqipëri ka pasur një proces gjyqësor ndaj një lideri opozitar, gjoja për shkak të lidhjeve me shtetas rusë dhe financimit prej tyre të fushatës së tij zgjedhore. Drejtësia shqiptare e ka shpallur atë të pafajshëm. Nuk është e nevojshme t’i rikthehemi kësaj çështjeje, aq më tepër që aktualisht në Shqipëri nuk ka interesa ruse financiare apo politike,” u përgjigj ai.
I pyetur na gazetarja Tare lidhur me ndikimin rus në median shqiptare, z. Afanasiev mohoi që Rusia të ketë ndikim në median vendase, madje e cilësoi atë si me orientim “antirus”.
“Nëse do të supozohet, se Rusia financon mediat shqiptare, atëherë, me siguri, do të kishte shumë komente dhe artikuj pozitivë për Rusinë dhe politikën e saj. Në fakt shtypi shqiptar ka një orientim të përgjithshëm antirus. Ai kap me kënaqësi trillimet antiruse të publikuara në shtypin evropian, sidomos të vendeve që kanë një qasje jo miqësore ndaj Rusisë. Artikuj proruse nuk kam parë asnjëherë,” tha ambasadori, ndërsa shtoi se do të ishte me më rëndësi që njerëzit, të cilët shkruajnë për Rusinë, politikën e saj, veprimet e Moskës në këtë rajon, të përpiqeshin të studionin situatën dhe faktet më thellë dhe jo të bazoheshin në po ato burime, të cilat mbartin informacion negativ për Rusinë.
Z. Mikhail Afanasiev, ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri tha në një intervistë për Euronews Albania se Rusia i kishte bërë të qarta qëndrimet e saj për njohjen e Kosovës dhe arsyetoi se çështja duhet të zgjidhet përmes negociatave mes dy vendeve.
Ilva Tare: Rama kërkoi gjithashtu në Moskë që Rusia dhe Serbia të njihnin Kosovën si shtet të pavarur. Mendoni se Rusia do ta bëjë ndonjëherë?
Mikhail Afanasiev: Qëndrimi i vendit tonë për çështjen e Kosovës është i njohur mirë. Çfarëdo që të thotë ndokush, rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbetet elementi aktual i së drejtës ndërkombëtare, i cili duhet të udhëzojë vendet anëtare të OKB-së në këtë çështje. Është e çuditshme në këtë sfond të dëgjosh thirrje ndaj Rusisë për të njohur “pavarësinë” e Kosovës. Ndoshta, kjo thirrje duhet t’u drejtohet disa shteteve të BE-së, anëtarësimi në të cilin është prioriteti kryesor i Shqipërisë? Kjo do të ishte më logjike.
Për sa i përket mundësisë së njohjes së pavarësisë së krahinës nga Rusia, Moska e ka thënë vazhdimisht: ne do të mbështesim çdo vendim kompromisi reciprokisht të pranueshëm për statusin e Kosovës, i arritur si rezultat i negociatave të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës.
Lidhet drejtpërdrejt midis palëve të interesit brenda kuadrit të procesit negociator. Vetëm një zgjidhje kompromisi do të jetë e qëndrueshme, e aftë të garantojë stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Ne gjithashtu besojmë se një nga parakushtet për zgjidhjen e problemit është vëmendja e vazhdueshme nga Këshilli i Sigurimit të OKB për tematikën e Kosovës. Zgjidhja përfundimtare për çështjen e Kosovës duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së duke miratuar një rezolutë të re për të zëvendësuar rezolutën aktuale 1244.
Ilva Tare: Në Tiranën zyrtare dhe në Prishtinë në kohën kur u bë ndërhyrje në Krime kanë vënë re se precedenti i Kosovës u përmend nga Moska zyrtare. Pra, nga njëra anë ishte precedent që Rusia e pranonte, por nga ana tjetër nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. A është ky standardi i dyfishtë?
Mikhail Afanasiev: Ngjarjet e vitit 1999 janë pjesë e historisë, por e një historie jo të largët, e cila ende vazhdon të ndikojë në situatën në rajon. Pikërisht këto ngjarje çuan në miratimin e rezolutës 1244 pas agresionit të njohur të vendeve të NATO-s kundër Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ndarjes faktike të Kosovës. Çështja e statusit të krahinës nuk është zgjidhur ende, dhe ne çdo herë kthehemi te nevoja e gjetjes së një zgjidhjeje bazuar në normat e së drejtës ndërkombëtare, burim i të cilave është Karta e OKB-së dhe vendimet e Këshillit të Sigurimit. Kohët e fundit partnerët tanë perëndimorë janë përpjekur t’u diktojnë palëve disa “rregulla” që shtrembërojnë të drejtën ndërkombëtare aktuale. Këto janë përpjekje për të drejtuar marrëdhëniet ndërkombëtare në kazuse.
Ilva Tare: Është bërë publike se Ministri i Jashtëm Lavrov do të vizitojë Beogradin pak ditë përpara zgjedhjeve në Serbi. Është normale për një vizitë kaq të lartë diplomatike në një vend ku ka zgjedhjet parlamentare?
Mikhail Afanasiev: Po, sot unë kam parë njoftimin për vizitën e ardhshme të Lavrovit në Boegrad më datë 18 qershor të këtij viti. Në qendër të bisedimeve do të jenë çështjet e marrëdhënieve dypalëshe. Nuk kam informacion tjetër për rendin e ditës së bisedimeve.
Përsa i përket qëllimeve dhe afateve kohore të kësaj vizite, nuk është puna ime si diplomat të vlerësoj ato. Këtu kanë liri veprimi përfaqësuesit e medias.
Ilva Tare: Çfarë kërkon Rusia në Ballkan? Cili është synimi i Rusisë për vendet e Ballkanit? Nuk është sekret marrëdhëniet e ngushta të Rusisë me vendet sllave ose me ato me shumicën ortodokse.
Mikhail Afanasiev: Gadishulli i Ballkanit është i rëndësishëm për Rusinë. Nuk e fshehim këtë. Rusia ka qenë prej kohësh e pranishme në Ballkan, jo 30-40 vitet e fundit, por prej disa shekuj. Do të ishte e gabuar të themi se ne zhvillojmë marrëdhënie vetëm me vendet ortodokse, pasi ndër partnerët tanë më të mëdhenj është kryesisht Turqia. Natyrisht, ne kemi marrëdhënie të ngushta me Greqinë. Vendet e ish-Jugosllavisë janë gjithashtu midis partnerëve tanë të suksesshëm. Prandaj, nuk mund të thuhet se Rusia ka një orientim përzgjedhës ndaj shteteve të caktuara në këtë rajon. Me dikë marrëdhëniet janë më të mira, me dikë tjetër jo edhe aq. Rusia është e interesuar që në këtë rajon, i cili nuk është shumë larg kufijve tanë, të mbretërojë paqja, stabiliteti, qetësia dhe prosperiteti ekonomik. Për ne kjo është e rëndësishme si nga pikëpamja e sigurisë sonë, ashtu edhe nga pikëpamja e bashkëpunimit ekonomik, me dobi të ndërsjellë, me të gjitha vendet e rajonit. Ne të gjithë jemi fqinjë, pjesë e një rajoni, ku shtrihet Deti i Zi, meqë ra fjala, Shqipëria, gjithashtu, është vend anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Ne jemi partnerë në organizata mbarëevropiane, të tilla si OSBE. Të gjitha vendet e rajonit kanë për qëllim hyrjen në BE, i cili është partneri ekonomik më i madh i Rusisë. Nisur nga kjo pikëpamje, paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi janë interesi ynë i vetëm në rajonin e Ballkanit.
Marre me shkurtime nga Euronews Albania
© Argumentum.