Në numrin 10 të kësaj rubrikë ekskluzive të “ARGUMENTUM” që ndiqet me shumë interes, diplomati dhe analisti i njohur, Dr. Jorgji KOTE flet “copë” me vetëm 1000 fjalë për 4 ngjarjet më të nxehta diplomatike në periudhën 1 – 16 QERSHOR 2020
Tërheqje litari në Kosovë?
Krijimi i qeverisë “ Hoti” shënoi dhe përfundimin e “ lojës pa top” për Kosovën. Sot, më 16 Qershor në Prishtinë ndodhet Lajçak, për të caktuar datën e fillimit të dialogut të shumëpritur me Serbinë. Ndërkohë që Merkel dhe Macron kanë rikonfimuar mbështetjen dhe për një Samit të posaçëm në Paris.. Por lajmi kryesot më i fundit është se më 27 Qershor, liderët e Kosovës dhe Serbisë do të jenë te ftuar në Shtëpinë e Bardhë; sipas R. Grenell, pritet që në prani të Presidentit Trump të dakordësohet mbi një tip “ Traktat Paqeje” me theks ekonominë. Tani, nëse këtu do të përfshihet dhe BE-ja, kjo do të jetë ngjarje e madhe me rrjedhoja tejet pozitive. Ndryshe, mund të bëhemi dëshmimtarë të një ” tërheqje litari” ndërmjet SHBA/BE, ku të parët do ta përdorin dokumentin në fjalë 0si “ kartolinë” për fushatën zgjedhore. Humbësja më e madhe do jetë Kosova që dashje pa dashje do të kthehet në “ mollë sherri” mes tyre. Kurse fituesja e madhe do të jetë Rusia që “ do zerë pritën në KS të OKB-së” për çdo marrëveshje të mundshme; bashkë me të dhe Serbia që po “ po luan bukur jo më në dy, por në tre karrike politike” Përpara nisjes në Washington, Vuçiç do jetë në Moskë ndërsa Lavrov në Beograd për të “ kopsitur” qëndrimet e përbashkëta. Gjithsesi, le të presim më shumë info përpara gjykimeve të rastit.
Diplomacia Greke e Detit
Më 8 Qershor Greqia nënshkroi në Athinë Marrëveshjen mbi përcaktimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike me Italinë, pas 43 vite demarshesh. Kjo ka shumë rëndësi për Greqinë për të shfrytëzuar zonat rreth ishujve të saj, por dhe për italianët që mund të peshkojnë lirshëm në ujrat greke. Në vijim të “diplomacisë së detit”, më 18 Qershor Greqia do të zhvillojë negociata për të njëjtën marrëveshje me Egjipin, tejet i rëndësishëm në këtë mes, me Izraelin dhe Qipron. Këto hapa janë kundërvënie ndaj Turqisë, e cila ka nënshkruar një marrëveshje të diskutueshme me qeverinë libiane në Tripoli, e cila e lejon të bëjë çpime dhe kërkime nafte në Mesdheun Lindor, në zona që Greqia pretendon se janë të vetat. BE dhe të tjerë e kanë qortuar Turqinë, duke propozuar dhe sanksione ekonomike. Ndërkohë, Greqia shpreson që komandanti rebel Haftar, të cilin ajo mbështet bashkë me Rusinë, Francën, Egjiptin, etj të rrëzojë qeverinë në Tripoli të njohur nga OKB-ja dhe kësisoj Marrëveshja me Turqinë të zhvlerësohet.
Këto lëvizje janë sfiduese dhe për ne, sepse siç e pohoi këto ditë kryediplomati Dendias, kur Greqia t’i ketë këto marrëveshje “ në xhep” ajo do të kërkojë të njëjtën gjë nga Shqipëria. Veçse tani Greqia është në pozita më të favorshme; dhe, nëse ne “kapemi gafil” dhe pa alternativa efektive mund të na mbyllet “ rubineti” i negociatave me BE në çdo kohë. Greqia ka treguar se këtu nuk “ të fal”
Dy veprime të nxituara amerikane
Më 15 Qershor, Presidenti Trump konfirmoi tërheqjen e 10.000 trupave amerikane nga baza ushtarake në Gjermani, më e madhja në Europë me 35.000 vetë. Ai e justifikoi vendimin me shpenzimet më të vogla gjermane për NATO-n dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë për gazsjellësin “Nord Stream II”. Këtë vendim që po konsiderohet i gabuar dhe i dëmshëm, për të qenë më të saktë, ne po e cilësojmë të panevojshëm, ose të nxituar sepse:
Ai u shpall në kulmin e koronavirusit dhe protestave masive anti-raciste në SHBA, si mjet për të devijuar vëmendjen ndaj tyre; vendimi u shpall një ditë pasi Kancelarja Merkel refuzoi ftesën e Trump për në Samitin e G – 7 në fund të këtij muaji në “Camp David” për shkak të koronës. Kësisoj, ky vendim kthehet në ndëshkim politik. Në aspektin njerëzor, trupat amerikane janë vendosur në Gjermani 70 vite më parë; ato janë lidhur dhe integruar fort me komunitetin gjerman me martesa mikse dhe si ura lidhëse partneriteti. Ndaj, largimi i tyre prek një traditë historike dypalëshe dhe më gjerë. Gjithashtu, ndonëse bazat ushtarake atje janë pjesë e NATO-s, nuk pati konsultime me të dhe me “ mikpritësin” Ca më keq, dislokimi i atyre trupave në Poloni mund të shërbejë si provokim për Rusinë; kjo e fundit mund ta shfrytëzojë në të drejtën dhe favorin e e vet këtë dukuri jo të këndshme në gjirin e Aleancës. Së fundi, ky vendim dëmton dhe vetë sigurinë amerikane në Europë
Ja pse vendimi është pritur me kundërshtime në SHBA dhe jashtë saj. Ndërsa Berlini zyrtar është treguar i matur duke e kaluar pa zhurmë. Kjo me qëllim që të mos i jepet shansi Trump ta shfrytëzojë atë për fushatë.
Tejet i nxituar është dhe paralajmërimi i Presidentit Trump më 11 Qershor për bllokimin e llogarive/aseteve dhe të moslëshimit të vizës hyrëse në SHBA të hetuesve të Gjykatës Ndërkombëtare mbi Krimet e Luftës me qendër në Hagë. Meqenëse ajo ka hapur një hetim në Afghanistan, si shtet palë, lidhur me dyshime për krime lufte nga talibanët dhe ushtarakë të vendeve të tjera, përfshi amerikanë. Vërtet që SHBA, ashtu si Rusia, Kina, Izraeli dhe të tjerë, duke mos qenë antare, nuk janë të detyruara të zbatojnë vendimet e saj. Por, jo të shkohet deri në sanksione të tilla, që siç u shpreh Gjykata në fjalë penalizojnë mbrojtësit dhe mbrojnë kriminelët. Më 13 Qershor, Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell e dënoi ashpër veprimin amerikan, si cënim i shtetit të së drejtës, i cili do zbatuar kudo dhe pa dallim. Shqetësimi është se këto dy tërheqje janë në vazhdën e largimit të SHBA-ve nga organizatat shumëpalëshe; “ Qiejt e Hapur” dhe OBSH-ja janë dy rastet më të freskëta, por a do jenë të fundit?
© Argumentum