Gjykata në Maqedoninë e Veriut sot i shpalli fajtorë të akuzuarit në rastin “Zhvatja” Bojan Jovanovski dhe ish prokuroren speciale Katica Janeva.
I akuzuari i parë Jovanovski u dënua me burg prej 9 vitesh ndërsa Janeva u dënua me 7 vite burg.
Gjykata e shpalli fajtor Bojan Jovanovskin për veprat e kryera penale “marrje të shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm” dhe për “larje parash”, ndërsa Katica Janeva për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve”. Janeva nuk ishte e pranishme në leximin e dënimit. Ajo dorëzoi njoftim se nuk mund të marrë pjesë për arsye familjare.
Në përshkrimin e aktit të aktakuzës të ngritur nga Prokuroria për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, thuhej se i akuzuari Jovanovski, ka ndikuar tek e akuzuara Janeva, që ajo të sjellë masa më të buta kundër një biznesmeni, i akuzuar në rastin “Perandoria”, i filluar nga ish-Prokuroria Speciale Publike.
Janeva dhe Jovanovski në fjalitë e tyre përmbyllëse para gjykatës mohuan akuzat dhe theksuan se nuk e kanë kryer veprën. Prokuroria, sipas tyre, “nuk ka dhënë dëshmi për veprën për të cilën i ngarkoi dhe tërë aktakuza është e bazuar në rrëfimin e një dëshmitari, që është i dëmtuar në rastin”.
Gjykimi për rastin “Zhvatja” filloi në nëntor të vitit të kaluar. Aktakuza ishte për tre persona. Në seancën e parë për këtë rast i akuzuari Zoran Milevski-Kiçeec e pranoi fajin dhe u dënua me 3 vite burg.
Kujtojmë se Prokuroria speciale është themeluar si institucion në bazë të marrëveshjes politike të arritur në vitin 2015 mes katër partive politike dhe me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar.
Kompetencë e kësaj Prokurorie është hetimi bisedave të përgjuara, në bazë të cilave ka indikacione se funksionarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në më shumë afera korruptive dhe keqpërdorim të proceseve zgjedhore.