Parlamenti Evropian votoi të enjten ndryshimet e propozuara në Raportin për Ballkanin të raportuesit Tonino Picula, përfshirë dhe një amendament për Shqipërinë të mbështetur nga Partia Popullore Evropiane, nga Liberalët, Konservatorët dhe një pjesë e të majtës ekstreme në Parlament.
KE vendosi hapjen e negociatave për Shqipërinë më 24 mars, por duke cituar më parë plotësimin e disa kushteve. Tre prej këtyre kushteve, ngritja e Gjykatës Kushtetues, ngritja e Gjykatës së Lartë dhe reforma zgjedhore duhej të plotësoheshin në mënyrë që të shkohej drejt mbledhjes së parë ndërqeveritare, ndërsa pjesa tjetër e tyre gjatë fazës së negociimeve.
Megjithatë, si rrallëherë në historinë e tij, Parlamenti Europian, që për katër vite me radhë i ka bërë thirrje Këshillit të Ministrave të BE-së që të hapë pa kushte negociatat me Shqipërinë, këtë vit jo vetëm që mbështeti kushtet e vendosura nga Këshilli, por i përforcoi me 15 të tilla dhe duke kërkuar përmes një rezolute që ato të plotësohen që të gjitha para mbledhjes ndërqeveritare mes delegacionit shqiptar dhe atij të vendeve anëtare të BE-së.
Pjesa më e madhe e kushteve janë të lidhura ngushtësisht me njëri-tjetrin, që do të thotë se plotësimi i njërit, passjell në mos plotësim, avancim në kushtin tjetër. Si shembull, nëse do të plotësohet kushti numër 2, që lidhet me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, atëherë do t’i hapej rruga plotësimit të kushtit numër 12, që lidhet me kërkesën e BE-së për vlerësimin e ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të qershorit 2019.
Në bazë të kësaj liste, kushtet e mësipërme mund të grupen duke përdorur si kritere ndarjeje tematikën, periudhën kur janë përcaktuar si kushte, apo edhe nismëtarët e tyre. Pjesa dërrmuese e tyre lidhen me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit. Në këtë kategori përfshihen kushtet 2, 3, 4, 5, 8 dhe 9, që kanë të bëjnë që të gjitha drejtpërdrejtë, ose tërthorazi me reformën në drejtësi.
Në ndarjen sipas kohës së tyre, kushti më i ri është ai që lidhet me rishikimin e ligjit të medias dhe përshtatja e tij sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe sipas ndarjes se kush ka qenë propozues, apo nismëtarë, janë tre kushte që janë përfshirë edhe falë lobimi të fortë të eurodeputetëve grekë.
Bëhet fjalë për kushtin për plotësimin me aktet nënligjore të ligjit për pakicat kombëtare, për kushtin e miratimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe kushti tjetër që lidhet me procesin e regjistrimit të pronave.
Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një statusi në Twitter ka reaguar në lidhje me vendosjen e 15 kushteve nga BE për nisjen formale të negociatave.
Rama shkruan:
Dhe nëse pastaj kjo 15-ta duhet për politikë e prandaj bashkohen kushtet e fillimit me ato të vijimit, atëherë nuk janë 15 po janë 15X100 kushte më shumë për t’u plotësuar deri ditën e anëtarësimit! Po një gjë është e sigurtë: Këta që kapen pas kësaj 15-ës do mbeten në opozitë
Po mirë, kur paska 15 kushte për nisjen formale të negociatave për anëtarësim, për çfarë duhej kjo rezoluta e partive aleate të PD në Parlamentin Europian që u votua pa konsensus?
E pra, nuk ka 15 kushte për uljen në tryezë me BE, sepse 7X7 s’bëjnë 42 në asnjë vend të botës!
15 kushte e BE-së për anëtarësimin e Shqipërisë:
1. Miratimi i reformës zgjedhore;2. Funksionimi i Gjykates Kushtetuese;3. Funksionimi i Gjykatës së Lartë;4. Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK;5. Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar;6. Ulje e numrit të azilkërkuesve;7. Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecies;8. Vazhdimi i Reformës në Drejtësi;9. Track Records-Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve;10. Progres në reformën e administratës publike;11. Zbatimi i reformës zgjedhore;12. Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019;13. Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare;14. Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censit;15. Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave.
h.e/Argumentum