Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë njoftuar se gjatë javës së ardhshme do të vendoset rreth shfuqizimit të masave në vendkalimet kufitare. Përkatësisht, pritet që të hiqet masa e izolimit prej 14 ditësh për qytetarët që hyjnë në Maqedoni të Verut, të cilëve përveç kësaj, sipas masave në fuqi, u kërkohej që të kishin testin negativ për koronavirus, jo më të vjetër se 72 orë.
Ky vendim vjen pas reagimeve të shumta të mërgimtarëve, sektorit të biznesit dhe agjencive turistike.
Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se tashmë ka dërguar kërkesë zyrtare te Komisioni për sëmundje ngjitëse, për të diskutuar mundësinë e shfuqizimit të masave që vlejnë për hyrjen në shtet.
“Ne si Ministri e Ekonomisë tashmë kemi diskutuar me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë çështje, njëherësh dhe zyrtarisht kemi dërguar kërkesë te Komisioni për sëmundje ngjitëse për lehtësimin e masave, gjatë kalimit të kufijve dhe presim që gjatë javës së ardhshme, këtë çështje ta diskutojmë në qeveri dhe të marrim vendim për shfuqizimin e masave që momentalisht janë në fuqi”, tha Bekteshi.
Aktualisht, personat që hyjnë në Maqedoni të Veriut duhet të dëshmojnë se janë negativ me koronavirus dhe testi nuk duhet të jetë më i vjetër e 72 orë. Por, pavarësisht kësaj, që të gjithë që hyjnë në shtet, duhet të vetizolohen për dy javë. Ndërkohë, personat që kalojnë transit nga Maqedonia e Veriut, apo turistët, obligohen që të largohen nga vendi brenda 5 orëve.
Për këtë çështje, sipas ministrit Bekteshi, do të vendosë Komisioni për sëmundje ngjitëse, por shton se ardhja e mërgimtarëve, përpos që është e rëndësishme për shkak të lidhjeve familjare, po ashtu paraqet një impuls të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
“Marrë parasysh rëndësinë e ardhjes së mërgimtarëve gjatë periudhës së verës, ne si Ministri e Ekonomisë nga aspekti ekonomik e kemi dhënë arsyetimin tonë se pse është e rëndësishme që atyre (mërgimtarëve) t’iu mundësohet qarkullimi i lirë, andaj i jemi drejtuar dhe Komisionit për sëmundje ngjitëse që ata ta japin mendimin e tyre profesional për këtë çështje”, thotë Bekteshi.
Ekspertët e ekonomisë thonë se edhe nëse lehtësohen masat, që kanë të bëjnë me lëvizjen e qytetarëve, bizneset e vogla tashmë po i ndjejnë pasojat e shkaktuara nga koronavirusi, veçanërisht tani kur mërgimtarët nuk janë në Maqedoni të Veriut.
“Pa dyshim se ndërhyrja e shteti me masa shtesë për të mbajtur në jetë këto biznese, veçanërisht moslargimin nga puna jo vetëm për kontributet, por edhe rrogat e punëtorëve dhe pse jo edhe përmes një forme tjetër duke mundësuar shitjen e produkteve të bizneseve të vogla përmes mbushjes së rezervave shtetërore”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Arben Halili.