Qeveria shqiptare ka dalë papritur me vendimin e beftë për të ngrirë të gjitha kontratat jooperative të hidrocentraleve në rang vendi, deri në përfundim të procesit të skanimit të tyre.
Lajmi u bë me dije publikisht nga ministrja e re e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Jam informuar intensivisht gjatë këtyre ditëve të para në detyrë mbi situatën dhe ecurinë e kontratave koncesionare të hidrocentraleve, të cilat janë 182 kontrata që i korrespondojnë 440 HEC-e. Sot vetëm 96 hidrocentrale janë operative. Ato i përkasin 73 kontratave koncesionare dhe kjo përbën një arsye për një vëzhgim të detajuar të të gjithë kontratave ende jo operative, në funksion të një sërë konkluzionesh të nevojshme për të gjykuar strategjinë e këtij sektori, efikasitetin e politikës së ndjekur në vite për stimulimin e HEC-eve të vegjël, impaktin ekonomik dhe social të tyre, e me radhë”, tha ajo.
Sipas tij, në këto kushte, kur kemi shumë më shumë kontrata ende jo-operative, sesa operative, është koha të bëjmë një ndalesë dhe të gjykojmë për vazhdimësinë.
“Kam vendosur fillimin e një procesi skanimi të dokumentacionit licencues të çdo subjekti të licencuar, e po ashtu dhe skanim fizik të çdo HEC-i dhe subjekti realizues. Ky proces do të ndiqet nga një grup pune i udhëhequr nga zv/ministri, i cili ka bërë një punë voluminoze dhe të vyer në sektorin e ujit”, shtoi më tej ajo.
Gjithashtu, ministrja e re tha se do të skanohen dhe vlerësohet nëse kontratat ekzistuese janë në përputhje me kushtet mjedisore dhe standardet e kërkuara në zonat përkatëse. “Kujtoj se koncesionarët kanë detyrim të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi përsa i përket mjedisit dhe kushteve mjedisore të vendosura në kontratë. Nga ana tjetër, kam vendosur ngrirjen e të gjithë kontratave jo-operative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre. Po ashtu, do të bashkërendojmë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për një qasje ligjore dhe administrative të integruar në mënyrë që të mos përsëriten më situata ligjërisht të paatakueshme, por faktikisht të papranueshme, siç është dhe rasti i fundit në Gramsh”, përfundoi ministrja.