Më datë 24 qershor në Ambasadën e Rusisë në Shqipëri u zhvillua ceremonia e dekorimit të 24 të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë me medalje përkujtimore, me rastin e 75-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike.
Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Mikhail Afanasiev, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë përshendetëse dhe dekoroi shtatë veprimtarë të levizjes partizane të Shqipërisë me medalje përkujtimore. Në fjalën e tij Ambasadori nënvizoi se lufta partizane e Shqipërisë dhe popujve të BRSS u bë një nga momentet unifikuese të së kaluarës heroike të të dy vendeve. Ai u shprehu mirënjohjen e tij aktivistëve të organizatës së veteranëve për vlerësimet e paanshme historike të premisave dhe shkaqeve të nisjes së Luftës së Dytë Botërore, si edhe për promovimin e së vërtetës në faqet e shtypit shqiptar mbi heroizmin e popullit sovjetik në vitet e luftës. Ai falenderoi veteranët për trimërinë dhe heroizmin e shfaqur në luftë kundër pushtuesve fashistë e nazistë.
Në fjalimin e tij, kreu i organizatës së veteranëve, Rustem Peçi, falenderoi Ambasadën Ruse për organizimin e këtij aktiviteti dhe vlerësoi kontributin vendimtar të popullit sovjetik në Fitoren kundër nazizmit. Gjithashtu, ai vuri në dukje rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike lidhur me Luftën e Dytë Botërore.
Në përfundim të ceremonisë, përfaqësuesve të “Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare” iu dorëzua një pjesë e medaljeve për veteranët, të cilët, për shkak të rrethanave, nuk mund të merrnin pjesë në ceremoninë e dekorimit.
© Argumentum.