Kryeministri Edi Rama nis sot një vizitë dyditore në Kosovë, vizitë e njoftuar jozyrtarisht vetëm mbrëmjen e së dielës.
Rama pritet të zhvillojë takime me udhëheqës të partive politike dhe drejtues të lartë të institucioneve, si kryeministri Avdullah Hoti, kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe presidenti Hashim Thaçi.
“Rama do të takohet fillimisht me kreun e Nismës, Fatmir Limajn, më pas në orën 15:00 do të takohet me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin, kryeministrin Avdullah Hoti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe më pas në fund, përpara deklaratës për shtyp të Thaçit, të takohet me të,”
Gjatë kësaj vizite, Rama pritet të takohet edhe me ish-kryeministrin, Albin Kurti.
Takimin mes Kurtit dhe Ramës e ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu.
Edi Rama ka bërë të ditur se arsyeja e vizitës së tij në Kosovë lidhet me njoftimin e Speciales.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se arsyeja e vizitës së tij në Kosovë lidhet me njoftimin e Speciales për aktakuzat ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçit dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit.
Në një postim në Twitter, Rama ka thënë se ka ardhur në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas njoftimit të Speciales.
Rama thotë se kjo do të hyjë is njollë turpi e shekullit 21 në historinë botërore të Drejtësisë.
Thaçi, i cili ende nuk ka bërë një deklaratë publike për sa i përket qëndrimit që do të mbajë përballë akuzave, ka shtyrë për mbrëmjen e së hënës deklaratën për shtyp të thirrur më herët gjatë fundjavës.
Të enjten, kryeministri i Shqipërisë mbajti një fjalim të gjatë në parlament, ku lavdëroi lartë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i cilësoi akuzat si “baltë ndaj krejt shqiptarisë”.
Vizita e Ramës vjen në një kohë kur javën e shkuar ishte parashikuar të zhvillohej në Shtëpinë e Bardhë një takim mes përfaqësuesve të lartë të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo akuzat e ngritura ndaj Thaçit bënë që ky takim të shtyhej.