Freddy Roosemont, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së të Huajve në Belgjikë është shprehur gjatë një takimi me zv/ministren e Brendshme shqiptare,Rovena Voda, se numri azilkërkuesve shqiptarë në Belgjikë mbetet i lartë.
Sipas tij, kërkesat për azil do të trajtohen në mënyrë shumë të shpejtë, përgjigjja është e garantuar që do të jetë negative dhe ata do të rikthehen në Shqipëri, qoftë vullnetarisht, qoftë në mënyrë të detyruar
“Mbeten 2 çështje që na shqetësojnë, pavarësisht uljeve, numri i azilkërkuesve shqiptarë në Belgjikë mbetet i lartë. Shqipëria është një vend i sigurt, një vend demokratik, një vend që nuk ka probleme. Për këto arsye u rekomandoj shtetasve shqiptarë që vijnë në Belgjikë, të vijnë si udhëtarë normalë për çështje biznesi, turistike, për të takuar familjarët e tyre në Belgjikë, por jo për të paraqitur kërkesë për azil. Kërkesat e tyre do të trajtohen në mënyrë shumë të shpejtë dhe përgjigjja është e garantuar që do të jetë negative dhe do të rikthehen në Shqipëri, qoftë vullnetarisht, qoftë në mënyrë të detyruar. Dhe kthimi i detyruar do të thotë jo vetëm një ndalim administrativ, por edhe shoqërim dhe riatdhesim në Shqipëri, me policë belgë”, tha Roosemont.