Këshilli i BE-së nisi sot zyrtarisht, nën kryesimin gjerman, bisedimet mbi kuadrin negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Drejtori i përgjithshëm për zgjerimin pranë Komisionit Evropian, Christian Danielson, paraqiti propozimin e Komisionit dhe përditësimet për dy vendet në mbledhjen e zhvilluar në nivel ambasadorësh.
Bisedimet do të vijojnë në javët dhe muajt që vijnë, pasi Presidenca gjermane ka deklaruar se synimi i saj është të miratojë kuadrin-negociues që në këshillin e tetorit. Burime pranë vendeve anëtare rrëfyen për Euronews Albania se nëse një gjë e tillë ndodh në tetor, në të njëjtën kohë mund të cakohet edhe data për konferencën e parë ndër-qeveritare me Maqedoninë e Veriut, e cila mund të zhvillohet në dhjetor të këtij viti.
Sipas të njëjtave burime, e njëjta gjë do të ndodhë me Shqipërinë, nëse përmbush në kohë dhe para vendimit të mundshëm të këshillit të 13 tetorit para-kushtet e mbetura sipas përditësimit të fundit nga Komisioni Evropian. Në rast të kundërt data për Shqipërinë do të shtyhet deri në përmbushjen e tyre.
Projekt-kuadri negociues që u paraqit nga Komisioni do të pasurohet me qëndrimet e vendeve anëtare gjatë bisedimeve që do të zhvillohen në Bruksel, para miratimit të tij të mundshëm në tetor.