Katër deputetë të opozitës parlamentare kanë deklaruar hapur votën pro marrëveshjes së arritur mes PS-së dhe PD-së në Këshillin Politik, ndërkohë që të paktën edhe dy të tjerë pritet që të dalin në mbështetje të këtij pakti.
Artur Roshi, Besnik Troplini, Suzana Topi dhe Fatjona Dhimitri janë emrat që janë shprehur se do të votojnë më 23 korrik ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas paktit PS-PD-LSI, ndërkohë që të njëjtën gjë pritet që ta bëjnë edhe Lefter Maliqi dhe Gjetan Gjetani, duke e çuar kështu numrin e deputetëve mbështetës në të paktën 85 vota, nga 84 që duhen për këto ndryshime.
Votë pro mund të japë edhe deputeti Kostaq Papa, që refuzoi bojkotin gjatë seancës së kësaj të enjteje. Bojkoti i opozitës u kërkua nga deputeti Myslim Murrizi, që tha se dalja nga salla është votë kundër marrëveshjes PS-PD pa lista të hapura.
Drafti për ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas marrëveshjes së nënshkruar më 5 qershor është njoftuar se do të kalojë për votim në seancën e 23 korrikut, ndërkohë që më 30 korrik në kalendarin e punimeve është futur nisma e opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore./h.e