Partitë politike dhe koalicionet pas 20 ditëve sot i japin fund fushatës së zgjedhjeve të parakohshme të 15 korrikut.
Në mesnatë fillon heshtja zgjedhore, ndërsa më tre ditë do të zhvillohen votime në kushte të pandemisë së koronavirusit.
Më 13 korrik votojnë të prekurit nga Covid-19, 14 korrik votojnë të sëmurët e tjerë, të burgosurit dhe të moshuarit, ndërsa më 15 korrik zhvillohen votimet e përgjithshme, ku mbi 1.8 milion votues do të zgjedhin 120 deputetë.
Partitë politike dhe koalicionet sot do të shpalosin dhe japin premtimet e fundit nga kjo fushatë, përmes prezantimit të programeve të tyre zgjedhore për qeverisjen e ardhshme, përcjell INA.
LSDM me koalicionin “Mundemi” fushatën do ta përmbyll në Manastir. VMRO-DPMNE me koalicionin e saj do ta mbyllë fushatën në Shtip.
Bashkimi Demokratik për Integrim do ta mbyllë fushatën me një konferencë me gazetarët para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku do të flasin kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti dhe kandidati për kryeministër, Naser Zyberi.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fushatën e saj do ta mbyllë sonte me mitingun para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Partia Demokratike Shqiptare do ta mbyllë fushatën e saj sonte në sheshin e Tetovës.
Edhe partitë e tjera politike do t’i japin fund fushatës, në bastionet e tyre ku pretendojnë se do të marrin më shumë vota.
Në mesnatë fillon heshtja zgjedhore, ndërsa nga e hëna deri të mërkurën do të zhvillohen votimet në kushte pandemie.
Votimet do të zhvillohen sipas protokolleve të sigurisë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, të përgatitur nga Komisioni për Sëmundje Infektive.
Rezultatet e para të votimeve do të publikohen natën e së mërkurës më 15 korrik përmes rrugës elektronike nga ana e KSHZ-së. Ndërsa rezultatet e para jozyrtare përmes të dhënave nga procesverbalet e Komisioneve Zgjedhore Komunale do të publikohen në afat prej 12 orëve pas mbylljes së vendvotimeve, ndërsa ato të para zyrtare 24 orë pas mbylljes së votimeve. Kutitë e votimit do të hapen në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 21:00. (INA)