Pas një ndërprerjeje 3-mujore, Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur nga socialistët për të hetuar veprimtarinë e Presidentit Ilir Meta do të mblidhet këtë të hënë, ku në rend të ditës është edhe marrja në dorëzim dhe shqyrtimi i opinionit të Venecias në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Administrimi, shqyrtimi dhe interpretimi i këtij opinioni pritet që të jetë edhe faza përfundimtare e këtij Komisioni, të ngritur një vit më parë në kulmin e përplasjes Presidencë-Kuvend, që nisi me dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe u bë “tërkuzë” me përplasjet për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Për çështjen e 30 qershorit Venecia ka gjetur tejkalim kompetencash nga ana e Presidentit të Republikës, por në opinionin e saj thotë se shkeljet nuk justifikojnë një vendim kaq ekstrem sa shkarkimin e Ilir Metës. Ndërkohë, për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Venecia i dha së fundmi të drejtë Presidentit në përplasjen për radhën e tyre.
Këto zhvillime, por edhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese, që ka fjalën e fundit të shkarkimit ose jo të Presidentit duket se kanë tërhequr socialistët nga ideja për të propozuar shkarkimin e Metës. Sinjali është dhënë pak kohë më parë nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Tërheqjen e përforcon së fundmi edhe Ulsi Manja, kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar. Ai flet për një reflektim të të gjitha institucioneve që kanë në dorë procesin e plotësimit të Gjykatës Kushtetuese, pa qenë në gjendje që të japë një përgjigje nëse në fund do të kërkohet shkarkimi, apo jo i Metës.
Komisioni Hetimor Parlamentar për të hetuar veprimtarinë e Ilir Metës u ngrit më 11 korrik të 2019, ku objekti i tij ishte vetëm shqyrtimi i dekretit për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Presidenti Meta ka dalë vetëm në një rast para këtij Komisioni, duke e mbrojtur vendimin se përmes këtij akti kishte shmangur një konflikt social në vend dhe se zgjedhjet monopartiake cenonin parimin e të drejtës për të zgjedhur nga qytetarët.
Pas përplasjes për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, socialistët zgjeruan objektin e këtij Komisioni edhe me këtë çështje. Afati i Komisionit Hetimor përfundon më 30 korrik dhe deri më tani socialistët nuk kanë nënkuptuar në asnjë moment se mund të vendosin zgjatjen e veprimtarisë së tij edhe me 3 muaj të tjerë./h.e