Presidenti i KSHZ-së, Oliver Derkovski, njoftoi se KSHZ, bazuar në procesverbalet e Komisioneve Komunale Zgjedhore, përcaktoi se nga numri i përgjithshëm i 1.814.236 votuesve, gjithsej 942.334 votues kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës
Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM) në pushtet fitoi 327.329 vota në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që është numri më i madh i votave të fituara në këto zgjedhje, tha Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).
Në përputhje me Kodin Zgjedhor, KSHZ në seancën e saj unanimisht miratoi konkluzionin për shpalljen e rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik 2020, bazuar në të dhënat e procesverbalit të komisioneve zgjedhore komunale.
Presidenti i KSHZ-së, Oliver Derkovski, njoftoi se KSHZ, bazuar në procesverbalet e Komisioneve Komunale Zgjedhore, përcaktoi se nga numri i përgjithshëm i 1.814.236 votuesve, gjithsej 942.334 votues kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.
“Koalicioni ‘Mundemi’ i udhëhequr nga LSDM fitoi 327.329 vota (46 mandate), Koalicioni VMRO-DPMNE dhe të tjerët fituan 315.344 vota (44 mandate), Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fitoi 104.587 vota (15 mandate), Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fituan 81.297 vota (12 mandate), E Majta 37. 551 vota (2 mandate), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) 13.891 vota (1 mandat), Integra 12.291 vota, GDU 3.555 vota, MORO 3.245 vota, Vota për Maqedoninë 2.801 vota, Maqedonia e Vetme 2.604, SDU 2.585 vota, Tvoja 1.894 vota, Demokratët 1.556 vota dhe Partia Popullore e Romëve 1.225 vota”, tha Derkovski në seancën e sotme të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut.
Presidenti i KSHZ-së informoi se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të vlefshme është 910.868, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të papërdorura është 869.889, ndërsa numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të pavlefshme 31 466.
Derkovski shtoi se këto janë “rezultatet përfundimtare jozyrtare”, duke sqaruar se paraqitësit e listave mund të parashtrojnë ankesa në afat prej 48 orësh, ndërsa KSHZ ka afat 72-orësh për t’iu përgjigjur të gjitha ankesave.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me sulmin kibernetik në faqen e internetit të KSHZ-së, Derkovski tha se bëhet fjalë për “sulm të jashtëm në faqen e internetit të KSHZ-së”.
“Gjatë ditës së djeshme, një sulm kibernetik u krye në sistemin KSHZ-së, domethënë në faqen tonë, gjë që shkaktoi, do të thoja, jo dëme shumë të mëdha, por një vonesë të vogël në veprimtarinë operative të KSHZ-së. Në këtë mënyrë, u shfaqën spekulime të ndryshme, lajme të ndryshme të rreme të shkaktuara nga ato spekulime. Dua t’i mohoj me përgjegjësi të gjitha ato spekulime në emër të komisionit dhe të tregoj faktin që KSHZ-ja funksionon në përputhje me Kodin Zgjedhor, ku saktësisht parashihen procedurat për përcaktimin e rezultateve”, tha Derkovski.
Për shkak të pandemisë aktuale të koronavirusit (COVID-19), votimi zgjati tre ditë. Më 13 dhe 14 korrik votuan personat e infektuar me COVID-19 dhe ato në vetizolim, si dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat në shtëpi pleqsh, të burgosurit dhe personat e zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur. Ndërkaq, më 15 korrik votuan të gjithë qyteatarët e tjerë.
Sipas Listës Zgjedhore të KSHZ-së, të drejtë vote kishin 1.814.236 qytetarë për të zgjedhur 120 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku në garë morën pjesë 15 koalicione dhe parti politike me mbi 1.500 kandidatë.