Nga një cicërimë në Twitter e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste ka kaluar në ftesë konkrete.
Bashkëkryetari socialist në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, njoftoi përmes një deklarate për mediat se, PS-ja është e gatshme që të shkojë në mbledhjen e Këshillit Politik ditën e hënë ose të martë në orën 11.00.
Në këtë mbledhje ndryshon edhe përfaqësimi politik. Damian Gjiknuri do të jetë i pranishëm me kryeministrin Edi Rama.
“Propozoj mbledhjen ditën e hënë apo të martë (përkatësisht në 20 ose 21 Korrik, sipas disponimit tuaj), ora 11:00, të një tryeze të Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Duke ju informuar se në këtë mbledhje Partia Socialiste do të përfaqësohet përveçse nga unë edhe nga kryetari Rama, ju bëj me dije se në rast dëshire edhe prezenca e kryetarëve përkatës të opozitës jashtëparlamentare, do të ishte plotësisht e mirëpritur nga ana jonë.
Vendi i zhvillimit të tryezës propozoj të mbetet i njëjti në mjediset e Pallatit të Kongreseve”, shkruan Damian Gjiknuri.
Më herët, kryeministri Edi Rama njoftoi përmes Twitter-it:
“PS nuk ka asnjë obligim ndaj PDLSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër, madje me gjithë OP në tryezë!
PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PD LSI OP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë, e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë, ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën!”.
Presioni i lartë i ndërkombëtarëve për të pasur një marrëveshje të gjithë pranuar ka detyruar palët të rikthehen sërish në Këshillin Politik. h.e/Argumentum