Jo vetëm lajm…
Erdhi Dita e Shoahut… Dita kur duhet “per forza” ne shqiptarët të ndihemi krenarë. Krenarë që strehuam hebrenjtë në shtëpitë tona gjatë Luftës ë Dytë Botërore, për t’i mbrojtur ata nga “çizmja” gjermane.
Prej disa vitesh, data 27 janar përkujtohet zyrtarisht në Shqipëri e ashtuquajtura “Dita e Kujtesës”, në shenjë homazhi ndajshfarosjes naziste të gjashtë milionë hebrenjve. Gjatë saj, autoritetet shqiptare rendin të gjitha për t’u shfaqur nëpër ekrane dhe për të ngritur zërin ndaj asaj që tashmë njihet botërisht si “mikpritja shqiptare” ndaj hebrenjve.
Kështu ndodhi edhe dje, teksa nën kujdesin e kreut të shtetit shqiptar, Ilir Meta, u zhvillua ceremonia e shpalljes së Shqipërisë si “Shtëpi e Jetës” nga Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Vallenberg”, që u kurorëzua edhe me përurimin e pllakatit përkatës.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të shumtë ku ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, ministra, krerë të bashkësive fetare si dhe familje shqiptare që kanë shpëtuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Holokaustit, Presidenti Meta theksoi se “kjo ngjarje, jashtëzakonisht kuptimplote, nderon dhe respekton të gjithë shqiptarët.
“Në mënyrë të veçantë ky akt nderon ata burra dhe gra shqiptare, që të udhëhequr nga kodi ynë shumëshekullor zakonor i mikpritjes dhe Besës, nën parimin se ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’, strehuan bujarisht e pa u kursyer, vunë në rrezik jetën e tyre dhe atë të familjeve, duke shpëtuar nga përndjekja dhe shfarosja e sigurt, qindra e mijëra hebrenj gjatë Holokaustit, njërës prej periudhave më të errëta të njerëzimit. Shqipëria, edhe pse një vend nën pushtimin nazist, është cilësuar si një “parajsë tokësore dhe strehë shpëtimtare” jo vetëm për qytetarët e saj hebrenj, që ishin gati 200, por edhe për ata hebrenj të cilët lanë shtëpi e katandi anembanë Europës, për të shpëtuar kokën, familjet dhe fëmijët e tyre nga “Zgjidhja përfundimtare” e shtazërisë së pamëshirshme hitleriane. Muzeu i Jad Vashemit në Jeruzalem ka vërtetuar historikisht se Shqipëria u bë shtëpia e përkohshme e atyre, të cilët ishin arratisur nga vatrat e veta, dhe i vetmi vend evropian që në territoret e veta numëronte në vitin 1945, dhjetëfishimin e hebrenjve në krahasim me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, më 1939-n. Talmudi, libri i shenjtë i hebrenjve, mëson: ‘Të shpëtosh qoftë edhe një jetë të vetme njerëzore, është njësoj sikur ke shpëtuar botën mbarë!”, tha presidenti shqiptar.
Për të na sjellë ndërmend sërish faktin se sa herë vjen 27 janari ne jo vetëm duhet të kujtohemi që paskemi shpëtuar hebrenj, por edhe të ndihemi krenarë.
st.no