Palët politike në Shqipëri përfunduan pa ndonjë rezultat të hënën një takim të nivelit të lartë ku u diskutua pa praninë e publikut kërkesa e kryeministrit Edi Rama për të ndryshuar kushtetutën.
Opozita jashtëparlamentare kundërshtoi prerazi kërkesat e kryeministrit ndërsa ky i fundit u përpoq të justifikojë pozicionin e tij duke argumentuar se në parlament, një grup deputetësh të opozitës kanë vendosur kushte shtesë dhe kërkojnë ndryshime kushtetuese, të cilat ai i mbështet.
Në fund, Rama shpalli tryezën një hap pozitiv dhe kërkoi vijimin e bisedimeve ndërsa Gazmend Bardhi nga Partia Demokratike deklaroi prerazi se partia e tij nuk ka në plan të diskutojë asgjë tjetër.
“Kemi qëndrim sipas nesh shumë të qartë ka dhe një realitet politik i cili imponon një qasje qe për ne është e diktuar si forca më e madhe, por që kemi dhe detyrimin të krijojmë një proces dhe të arrijmë një rezultat ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord me të gjithë, së paku secila nga palët të ketë pjesën e vet le të themi,” deklaroi Rama në kërkesën e tij për të rihapur bisedimet për marrëveshjen e 5 qershorit.
“Sot na u konfirmua që ne do të duhet të rihapim edhe një herë çështje që ne kemi rënë dakord. Apeli jonë ishte që ne nuk mund të hedhim në kosh një punë 6 mujore të Këshillit Politik. Ne nuk mundemi që pas 6 muajsh të themi që kemi ndryshuar mendje,” deklaroi Gazmend Bardhi.
Shqipëria duhet të miratojë ndryshime në kodin zgjedhor të vendit jo më vonë se sa 30 korriku i këtij viti ndërsa diplomacia e aleatëve perëndimorë të vendit është angazhuar tashmë prej muajsh për të ndërmjetësuar arritjen e një marrëveshjeje.
Arritja e një marrëveshjeje për ndryshime elektorale konsiderohet me rëndësi nga njëra anë për shkak se përbën një kusht për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe BE-së dhe nga ana tjetër sepse shihet si një mënyrë për të rikthyer partitë kryesore të opozitës në të bërit politikë brenda institucioneve.
Në 5 qershor, pas më shumë se gjashtë muajsh diskutimesh, partitë kryesore të vendit e arritën një marrëveshje nën presionin e vazhdueshëm dhe të hapur të ndërkombëtarëve për të kryer disa ndryshime në administrimin e zgjedhjeve. Por marrëveshja nuk është miratuar ende në parlament ku shumica socialiste duket se pretendon se nuk ka vullnet politik nga “opozita parlamentare” për ta votuar atë./h.e