Ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, ka treguar se kush po lobon për ndarjen e Kosovës, por edhe në Shtëpinë e Bardhë për llogari të Serbisë.
“Cili është roli i konsulentëve që paguan Serbia në funksion të idesë për shkëmbimin e territoreve?”, ka qenë pyetja së cilës ai i është përgjigjur kështu: “Volfang Petritsch punon në nivelin e Bashkimit Evropian. Tony Blair, si ish-kryeministër britanik, punon në të gjitha nivelet dhe me të gjitha palët.Në Amerikë është Corey Levandoëski, ish–drejtuesi i fushatës presidenciale për Trump, i cili drejton një firmë konsulence në Uashington. Levandovski takoi Vuçiçin në Beograd dhe loboi në Uashington për ndarjen e Kosovës. Mbi të gjitha, Alexandër Soros përpiqet të bindë përfaqësuesit e demokratëve në SHBA për ndarjen e Kosovës”.
Sipas tij, plani Thaçi-Vuçic për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike është mbajtur shumë i fshehtë edhe në Serbi dhe se ai ka dëgjuar për këtë plan, “kur Tony Blair udhëtoi në Gjermani për të bindur Angela Merkelin për këtë ide. Ajo është kreu i vetëm i qeverive perëndimore që ka hedhur poshtë publikisht ndryshimet e kufijve. Si rezultat, në qarqet diplomatike u bë e njohur se Vuçiç është i gatshëm të japë Luginën e Preshevës në Kosovë në shkëmbim me zonat në Kosovën e Veriut”.
Por ai analizon edhe lëvizjet dhe rolin Aleksandër Vuçiç, Hashim Thaçit dhe Edi Ramës në përpjekjen për kufijtë e rinj me baza etnike mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Vuçiç dhe Thaçi janë duke punuar së bashku në këtë rast. Pse?”, pyetet ai nga austriakët. Dhe përgjigjet: “Ata e kuptojnë se anëtarësimi në BE është një rrugë e gjatë, kështu që kanë vendosur prioritete të tjera. Vuçiçi po thellon sundimin autokratik, Thaçi po përpiqet të qëndrojë në pushtet dhe Rama i bie fyellit të nacionalizmit. Pavarësisht akuzave verbale publike, këta punojnë shumë ngushtë me njëri-tjetrin pas dyerve të mbyllura. Por, nuk mund të ndërtosh marrëdhënie të qëndrueshme dhe të mira mes dy popujve, duke i nxitur njerëzit kundër njëri-tjetrit me retorika luftarake. Historia e ka provuar këtë jo shumë larg në kohë. Në fillim të viteve 1990, kur Sllobodan Millosheviç (Presidenti serb) dhe Franjo Tuxhman (Presidenti kroat) mbajtën lidhje të ngushta dhe biseduan për ndarjen e Bosnjës pas dyerve të mbyllura, kjo përfundoi në një katastrofë”.