Opozita e Bashkuar propozon hapjen 100 për qind të listave të deputetëve, por me kushtin që të mos ndryshojë as formula aktuale e shpërndarjes së mandateve dhe as formula aktuale e koalicioneve.
Lulzim Basha e hodhi këtë propozim në përfundim të mbledhjes me aleatët në selinë e Partisë Demokratike. Ai tha se propozimi i koalicionit opozitar do të zyrtarizohet nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili në mbledhjen e Këshillit Politik.
“Opozita e Bashkuar mbështet hapjen 100 për qind të listave, me kushtin që as koalicionet të mos ndryshohen dhe të mbeten kështu siç janë sot dhe përllogaritja e mandateve të realizohet me formulën aktuale. Propozimi ynë është i drejtë sepse së pari listat hapen 100 për qind dhe nuk ka asnjë synim të fshehur. Synimi i Edi Ramës me hapjen e pjesshme të listave është prishja e koalicioneve”, deklaroi Basha para mediave.
Kreu i PD-së tha se koalicionit opozitar ka vendosmërinë dhe bindjen për të mos lejuar asnjë ndryshim kushtetues të njëanshëm që prek çështjet e zgjedhjeve.
“Këshilli politik është i vetmi vend ku diskutohet. Duke qenë se PS dhe kyetari i saj kanë ndryshuar qëndrim disa herë para dhe pas 5 qershorit dhe tani mendojnë se po u shesin shqiptarëve dashurinë për lista të hapura, si shkak për të ecur me ndryshime të njëanshme, kemi mandatuar sot Bylykbashin dhe Vasilin që sa i takon kësaj çështjeje të propozojnë hapjen 100 për qind të listave”, tha Basha.
Kreu i demokratëve deklaroi se me këtë propozim, opozita tregon seriozitet dhe përgjegjshmëri ndaj qytetarëve, por sërish tha se propozimi në fjalë kushtëzohej nga nevoja për kompromis.
“Unë kam qenë simpatizant i sistemit mazhoritar me dy dhoma, por për hir të konsensusit propozojmë hapjen e listave 100 për qind me kushtin që koalicionet të mbeten kështu siç janë dhe po ashtu edhe formula e shpërndarjes së mandateve”, u shpreh ai.
Sipas propozimit që po shqyrtohet në Kuvend nga socialistët dhe pakica parlamentare, hapja e listave propozohet në dy të tretën e tyre./h.e