Cilësuar si krahu i djathtë i Prokurorisë së Posaçme në përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, Byroja Kombëtare e Hetimit mund të mësojë edhe zyrtarisht nga kjo e hënë emrin e drejtueses së saj.
Dy kandidatët kryesor konsiderohen Ervin Hodaj dhe Aida Hajna, aktualisht zv.Drejtore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Hajna është ndër emrat e parë të drejtuesve të lartë të uniformave blu që kaloi me sukses procesin e vettingut në polici. Megjithatë, për opozitën ajo është një kandidaturë politike përmes të cilës, Qeveria synon edhe kapjen e BKH-së.
Megjithatë, vetë Hajna dhe hetuesit e tjerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë në varësi të prokurorëve të posaçëm, sipas parashikimeve ligjore të miratuara në 2016-n në kuadër të reformës në drejtësi.
Kompetencat e drejtuesit të BKH-së janë më shumë koordinuese dhe organizative. Drejtori cakton hetues për të drejtuar sektorë brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai nuk ka pushtet mbi dosjet që hetohen, pasi kjo kompetencë u takon prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
Komisioni vlerësues i kandidaturave i ngritur nga SPAK me përbërje Arban Krajën, Behar Dibrën dhe Eneid Nakuçi do të zgjedhë një nga katër kandidatët që plotësojnë kriteret për të drejtuar BKH-në.
Aida Hajna, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faska janë emrat e propozuar, nga të cilët njëri do t’i përcillet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për ta votuar, ose rrëzuar si drejtues të Byrosë. Katër emrat e mësipërm u filtruan nga një listë me 40 kandidatë./h.e