Christian Schmidt, një nga figurat kryesore të kristiandemokratëve gjermanë (CDU/CSU) në Bundestag, si dhe raportues për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU, ka tërhequr vëmendjen e kryeministrit Edi Rama për të mos bërë veprime të njëanshme me ndryshimin e kushtetutës dhe heqjen e së drejtës për koalicione parazgjedhore sipas vullnetit të partive.
Duke iu referuar lajmit më të hershëm të marrëveshjes mes partive politike, bazuar në dakordësinë e 5 qershorit, ish-ministri në qeverinë e kancelares Merkel, e konsideron atë një sukses të madh që forcon demokracinë në Shqipëri.
“Partia Socialiste po tenton ndryshime jashtë marrëveshjes: heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore.Për të favorizuar vetveten?” – thekson reporteri i CDU/CSU për Shqipërinë në Bundestagun gjerman.
“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po synon ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po përpiqet të heqë nga Kushtetuta të drejtën për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten? Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to. Jam i bindur se kryeministri Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 qershorit mes të gjitha partive. Besimi reciprok është i domosdoshëm!” – shkruan raportuesi i CDU/CSU për Shqipërinë ne Bundestagun gjerman.
Më herët edhe nënkryetari grupit parlamentar të kristiandemokratëve gjerman Johan Wadephul ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për qasjen që po mban në raport me reformën zgjedhore duke e shoqëruar atë me ndryshime kushtetuese. Në një koment ai madje paralajmëroi se kjo mund të bllokonte vijimin e procesit integrues të vendit.
Komenti i Wadephul u përbuz nga kryeministri Rama, i cili e konsideroi si “zhgënjyes” dhe “fyes ndaj institucionit të Kuvendit” duke theksuar se parlamenti “nuk është noter pa të drejtë fjale”.