Shkeljet sipas Venecias nuk janë aq të rënda sa ta shkarkojnë Presidentin dhe faktikisht edhe komisioni hetimor e thotë qartë se ne nuk kemi një përkufizim se çfarë do të thotë shkelje të rëndë, por mesazhi që japim ne duke iu referuar së ardhmes dhe jo të shkuarës në këtë rast dhe duke e parë si mundësi këtë rast adresimin e së ardhmes për ato që rezultojnë të jenë hapësira për abuzim, është që ne nuk jemi këtu për të ushtruar vullnetin e shumicës pa marrë në konsideratë edhe opinionit të Venecias, ne do të qëndrojmë te çfarë do të bëjmë më tutje,” – u shpreh kryeministri.
Me 78 vota pro, 17 kundër dhe 8 abstenime parlamenti ka miratuar raportin e hartuar nga komisioni hetimor që heq dorë nga shkarkimi i presidentit Ilir Meta.
Kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare që po zhvillohet për shqyrtimin e raportit përfundimtar të komisionit që u ngrit vitin e shkuar për shkarkimin e Metës këmbënguli se Presidenti ka shkelur Kushtetutën duke anuluar zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, apo edhe në situatën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë ai tha se socialistët do të ndjekin opinionin e Komisionit të Venecias, i cili është shprehur se “shkeljet nuk janë aq të rënda sa për të shkarkuar presidentin”.
Gjatë fjalës së tij Rama e cilësoi Metën si një nga presidentët më të njëanshëm të dhjetëvjeçarëve të fundit. Ai e vuri në krahasim me ish-presidentin Bujar Nishani, duke thënë me ironi se përballë tij “Nishani duket si George Washingtoni”. Pavarësisht përplasjeve të së shkuarës, Rama tha se përtej deklaratave dhe pozicionimeve publike, ndryshe nga Meta, Nishani “ka qenë absolutisht në rregull me Kushtetutën”.
Rama vazhdoi më tej duke kritikuar ashpër lëvizjet politike të Metës, sidomos mitingun e mbajtur prej tij në fillim të muajit mars, ku kryeministri uroi që “kurrë më një president i ardhshëm të mos mbajë miting për rrëzimin e qeverisë”.
“Përpara Ilir Metës, Bujar Nishani duket si George Uashingtoni. Nëse ndajmë në dy pjesë, në atë të statuseve dhe intervistave pa frena dhe atë të firmave në funksion të detyrës, Nishani statuseve dhe intervistave ishte një sëkëlldi, ndërsa Nishani i firmave dhe procedurave ishte absolutisht në rregull me Kushtetutën, këtë mund ta themi për të gjithë presidentët me radhë, por Meta e ka kthyer zyrën në një seli operacionesh politike të njëanshme dhe vatër të hedhjes dhe ndezjes së zjarreve duke përdorur Kushtetutën si letër dhe mllefin e tij ndaj kësaj Kushtetutë si benzinë,” – theksoi Rama.
“Shkeljet sipas Venecias nuk janë aq të rënda sa ta shkarkojnë Presidentin dhe faktikisht edhe komisioni hetimor e thotë qartë se ne nuk kemi një përkufizim se çfarë do të thotë shkelje të rëndë, por mesazhi që japim ne duke iu referuar së ardhmes dhe jo të shkuarës në këtë rast dhe duke e parë si mundësi këtë rast adresimin e së ardhmes për ato që rezultojnë të jenë hapësira për abuzim, është që ne nuk jemi këtu për të ushtruar vullnetin e shumicës pa marrë në konsideratë edhe opinionit të Venecias, ne do të qëndrojmë te çfarë do të bëjmë më tutje,” – u shpreh më tej kryeministri duke dalë hapur në nismën e paralajmëruar më herët edhe nga deputetët socialistë të komisionit hetimor.
Rama këmbënguli se do të duhet qartësim i kompetencave formale dhe substanciale të Presidentit Ilir Meta dhe sanksionimi i këtyre kompetencave në një ligj organik për presidentin ku të përfshihen edhe mekanizma zhbllokuese nëse do të ripërsëriten situata të ngjashme me atë të vitit 2019 në të ardhmen.