Kryeministri Edi Rama si anjëherë tjetër mbrojti në Kuvend propozimet e socialistëve dhe opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën kësaj here jo duke u “justifikuar” përballë popullit dhe opozitës së bashkuar madje as përballë kundërshtisë së vetë Presidentit të Republikës. Jo! Kryeministri Rama fjalimin e tij dhe gjithë mbrojtjen e tij për ndryshimet kushtetuese e bëri ndaj vetë ndërkombëtareve.
Rama u drejtoi një mesazh ndërkombëtarëve duke theksuar se :”parlamenti është sovran, qeveria sovrane dhe pushteti i tyre gjithashtu sovran dhe se për ndryshimin e Kushtetutës dhe sistemin zgjedhor, i takon Shqipërisë të zgjedhë pa e ndarë këtë çështje me askënd tjetër“.
Ai iu drejtua në veçanti ambasadores amerikane Yuri Kim dhe ambasadorit Soreca duke thënë se “nuk i vinte mirë” nga deklaratat e tyre rreth nismës për të ndryshuar Kushtetutën.Është një vendim që nuk kemi pse ta ndajmë as me ambasadoren amerikane, as me ambasdorin e BE duke i respektuar këtu zot në vendin e tyre,” – tha Rama.
“Nuk është përgjegjësia e ambasadores amerikane, ambasadorit të BE-së, e Washingtonit, apo Parisit që prej 30 vitesh e kërkojmë në anglisht zgjidhjen e problemeve tona, nuk është përgjegjësia e tyre, ndaj ata meritojnë respekt, por kur dëgjoj ambasadoren amerikane që thotë do t’i ndjekim drejtuesit politik a do ta mbajnë apo jo fjalën, nuk më vjen mirë dhe kjo fjali është për çdo person në këtë vend që kur merr përsipër të përfaqësojë popullin në këtë sallë, të mos e bëjë qesharak popullin e vet, vendin e vet, sepse e kemi krijuar ne këtë trashëgimi të ulët, e cila është vazhdim e një historie të gjatë moskuptimesh mes shqiptarëve që kanë çuar shqiptarët në situata të pajustifikueshme fare dhe që nuk e kanë lënë këtë vend të bekuar që të bëjë që populli të jetojë me dinjitet, dhe kjo votë është votë me dinjitet, është vendimmarrja jonë, tërësisht e përputhur me standardet ndërkombëtare, tërësisht e përputhur me nevojën për ta bërë Shqipërinë një vend më demokratik,” – theksoi më tej Rama.
Ndryshimet kushtetuese që po bëjmë ne, ta dëgjojnë mirë miqtë dhe partnerët tanë, ata që 5 qershorin e bënë si 28 nëntorin. Shqipëria ka 28 nëntorin, ka 29 nëntorin ballist, por 5 qershori është thjesht një ditë, 4 ditë pas ditës së fëmijëve dhe megjithatë ne e votuam një për një dhe nuk e prekim. Kjo që bëjmë sot e fut sistemin zgjedhor shqiptar në kornizën e botës me 1 miliard banorë të OSBE, se është jashtë. I pyeta në sallë kur shkova në Këshillin Politik edhe ekspertët e pavarur që ishin të varur te PD dje dhe i vetmi vend që dëgjova që kishte këtë sistem ishte në një libër të La Sapienzës.
Ne nuk po heqim të drejtën për tu bashkuar Luli me Monën, ne nuk kemi asnjë interes politik që të ndërhyjmë te ai çift, ai çift ne na duhet bashkë dhe duke pasur Lulin me Monën bashkë kemi dhe baba Xhiken bashkë me ta dhe atë dixhitalin e Lalëzit bashkë dhe kemi gati bandën e të katërtëve që do t’jua tregojmë shqiptarëve mirë por bashkë me sistemin normal. Thanë e duam si Letonia, ok. Por të shikojmë dhe Holandën, si Belgjika, jo po Syriza. Si ta duan.Po jo si kjo, mblidhen njerëzit te ty për të dëgjuar programin, andej futen ballistët nëpër pula. Ai thotë do të votoj ty për programin, kur kthehet në shtëpi i ka marrë ballisti pulën.Pastaj ulesh dhe ha kofsha këtu.Propozimi për nenin 64, ne nuk ndryshojmë natyrën e sistemit zgjedhor se do të thotë të kalosh nga proporcionali rajonal në proporcional kombëtar ose të ndryshosh konfiguracionin.
Ndryshimet kushtetuese nuk i pengojnë palët politike të hapin listat 100%, por përcaktojë për shumë kohë se nuk do të jenë më pak se 2/3. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi partia më e madhe. Si shpjegohet që ne bëjmë hapje më të madhe?Në proces me dakordësi të gjerë mund të shkojë 100%.Nuk ka qenë proces i lehtë.Pas pak nga numërimi votave do të dalë se tanimë treni me vagonat fantazëm ka ikur në lumë dhe hapja e lisave dhe mundësia për popullin që të zgjedhë deputetin është reale, theksoi Rama ne foltoren e parlamentit.
Një ditë më parë në deklaratën për media në faqen zyrtare të Ambasadës amerikane në facebook thuhet se gjatë javëve të fundit, Ambasadorja Kim ka pasur biseda të shumta mbi reformën zgjedhore me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha, anëtarë të Këshillit Politik mbi Reformën Zgjedhore, si dhe me një sërë ekspertësh e të tjerë.
“Ajo ka nënvizuar tri pika: Së pari, marrëveshja e 5 qershorit, e cila u arria nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duhet respektuar ashtu si u ra dakord për të. Së dyti, Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin. Së treti, në të njëjtën kohë, edhe pse ata të cilët “dogjën mandatet e tyre”, bazuar në përkufizimin e kësaj, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament, nuk mund të injorohet fakti se ata, gjithsesi, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë. Për këto arsye, ne e kemi lavdëruar marrëveshjen e 5 qershorit, të arritur nëpërmjet bisedimeve ndër-partiake; përshëndetëm miratimin në Parlament në 23 korrik të kodifikimit të marrëveshjes së 5 qershorit; dhe nënvizuam gjithëpërfshirjen dhe transparencën me të cilat partitë arritën marrëveshjen e 5 qershorit duhet të jenë norma në marrjen e veprimeve të rëndësishme kombëtare” nënvizohet në deklaratë.
© Argumentum