REALPOLITIK FLASH NR. 13 ; 17 – 31 Korrik 2020
Në këtë Rubrikë që e gjen vetëm te “ARGUMENTUM” diplomati dhe analisti i njohur, Dr. Jorgji KOTE komenton “ shqip” me vetëm 1.000 fjalë katër temat më të nxehta të periudhës 17 – 31 Korrik.
30 Korriku “fundos” 5 Qershorin!
Megjithë paralajmërimet e opozitës dhe të faktorit ndërkombëtar, miratimi nxitimthi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend më 30 Korrik praktikisht e fundos Marrëveshjen e 5 Qershorit; ai plotësonte dhe një kusht për negociatat, ndërsa 30 Korriku nuk shton asgjë; i pari u bë me konsensus të plotë dhe u mirëprit nga të gjithë, i dyti ishte i njënashëm, ndaj dhe në përgjithësi nuk “ ngroh”; 5 Qershori tenton të mbyllë plagët dhe të çelë një proces të ri, 30 korriku i rihap ato me pasoja të parashikueshme. Kësisoj, shumica qeverisëse do t’i tregojë dhe botës se “ bishti është më i rëndë se sqepari” Të shohim.
BE-ja bën epokë!
Më 21 Korrik, mbas 90 orë debatesh, BE-ja miratoi Fondin e Rimëkëmbjes prej 750 Miliard Euro dhe buxhetin e ri 1,1 trilion Euro. Me këtë fond dhe buxhet, më i madhi në historinë e saj në krizën më të rëndë pas Luftës së II Botërore, BE-ja bëri epokë; ajo theu tabunë e borxheve të përbashkëta dhe shfaqi solidaritetin aq të kërkuar. Kjo fitore historike jep dhe shumë mësime të vlefshme për politikën, sidomos atë shqiptare lidhur me mirëkuptimin, lëshimet, tolerancën, kompromiset, etj. Kështu, për të pajtuar kundërshtimet kategorike të 4 “dorështrënguarve” ( Holandë, Suedi, Danimarkë dhe Finlandë) shuma e ndihmave pa kthim u ul nga 500 në 390 miliard Euro; ndërkohë, u rrit pjesa e tyre në buxhetin e BE-së; përballë kundërshtimit të vendosur nga Italia/Spanja ndaj kontrolleve dhe kushteve bezdisëse, u ra dakord që ato të dorëzojnë vetëm projekte/programe projekte bindëse për të përfituar këto shuma; por, nëse shihet se ka a buzime, secili prej katër “ dorështrënguarve” mund të vendosë veton.
Më tej, nëse një vend shkel parimet e shtetit të së drejtës, atij i pezullohen ndihmat. Gjithashtu, shumica e këtyre fondeve do t’i kushtohet ekonomisë së gjelbër.
Dialog Prishtinë – Prishtinë! Për fillimin e dialogut Kosovë – Serbi është shkruar shumë dhe në “ARGUMENTUM”. Mes shumë pohimeve, deklarimeve dhe pretendimeve që çuditërisht vijnë më shumë nga politika në Kosovë, sot duam të theksojmë: së pari, klasa politike në Prishtinë nuk ka pse tregon panik, ngut dhe as eufori të pabazuar. Ca më tepër, kur Beogradi vazhdon avazin e tij të vjetër. Ndaj, askënd të mos e gënjejë mendja ; ky rrugtim do të jetë i gjatë, plot të përpjeta e tatëpjeta.
Së dyti, deri në rinisjen e dialogut të vërtetë në vjeshtë, politika në Prishtinë duhet të bëjë dialog me vehten, me të gjitha segmentet e saj dhe me publikun. Fatkeqësisht dhe tani atje vijon kakofonia politike, ku « njeri i bie gozhdës e tjetri patkoit », ku ka prej tyre që nuk e dinë as vetë çfarë kërkojnë, ca « i bien të mirës me shkelm » dhe të tjerë luajnë si në futboll kooperative « bjeri t’i biem » Ndaj, së treti, pa – dialogun Prishtinë – Prishtinë, sikur « nami të bëhet », do të jetë pothuajse e pamundur të kërkosh dhe ca më pak të përfitosh gjë nga Beogradi, Brukseli dhe Washigtoni. Ca më tepër që korona po lëviz lirshëm dhe në Prishtinë dhe mund « të bëjë gjëmën », duke e bërë « luks » dhe vetë dialogun në fjalë.
Së katërti, pak pushim për të gjithë në gusht, por në shtator të kthehemi “ me mend në kokë”; duke mbyllur çdo shteg për hamendësime dhe keqkuptime; që Prishtina të shkojë në dialog me Beogradin me një zë, një mendim dhe strategji. Nuk është se kjo të garanton suksesin, por pa këtë nuk ka asnjë shans. Sepse të keqen Kosova e ka nga brenda. Pik.
Kambanat libiane të alarmit po bien fort për të gjithë e sidomos për BE-në dhe NATO-n. Pas vitit 2011 kur u përmbys rregjimi i Gadafit aty ka një kolaps dhe kaos të paparë gjeopolitik. Në Tripoli dhe perëndim është qeveria e njohur nga OKB-ja e cila kohët e fundit e ka zgjeruar ndikimin e vet pas ofensivës me ndihmën e Turqisë. Kjo e fundit e mbështet atë bashkë me Katarin dhe Italinë. Në perëndim dhe gjetkë duke patur nën kontroll vendburimet më të mëdha të naftës (Libia ka qenë ndër prodhuesit më të mëdhenj me 1,6 million fuçi në ditë, sot 100.000) sundon Gjenerali rebel Haftar ; me mbështetjen e Rusisë, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara dhe Francës. Këtu konflikti më i ashpër është ndërmjet Turqisë dhe Egjiptit ; ky i fundit ka vendosur të ndërhyjë me kërkesë dhe të Haftarit i mbështetur dhe nga Arabia Saudite, nëse Turqia do të përparojë më tej. Veç kësaj, Turqia dhe Franca, dy vende antare të NATO-s janë kundër njeri tjetrit me incidente dhe tensionim të paparë të marrëdhënieve politike dhe ushtarake.
Edhe Franca me Italinë si antare të BE-së janë në dy pole krejt të kundërta. Kjo e bën tejet të vështirë ndërhyrjet efektive të BE dhe NATO-s ; kur dhe SHBA-të e ndjekin situatën nga larg, me telefon. Ndërkohë, në Libi veprojnë me mijra milicë dhe mercenarë të paguar nga Turqia dhe vende të tjera sirianë, libiane, sudaneze, të cilët shërbejnë si « mish për top « duke luftuar ndaj njeri tjetrit. Tani, palët e përfshira në Libi po mundohen të bëjnë për vehte vende të fqinje, si Algieri, Tunizi, Marok, etj ; këto të fundit nuk po dinë « kujt t’ia prishin dhe kujt t’ia ndreqin »
Në këtë situatë tejet të vështirë zgjidhjet e mundshme janë : marrëveshje për armëpushim të qëndrueshëm ; largim i mercenarëve dhe forcave ushtarake dhe ndalimi i dërgimit të armëve në Libi ; dërgim i helmetave blu të OKB-së për të garantuar armëpushimin dhe procesin e paqes; negociata mes palëve nën drejtimin e OKB-së dhe zgjedhje të reja parlamentare. Ndryshe kataklizmoja./argumentum.al
© Argumentum