Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se “me nënshkrimin sot të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë franceze “Voltalia”, finalizohet projekti i Parkut Fotovoltaik të Karavastasë”.
Gjatë fjalës së saj, me këtë rast, Balluku tha se “në një bisedë që kam pasur me disa nga ekspertët e Harvardit, më thanë që po ky projekt, do të përdoret si një “çelës”, sesi një proces kompleks në një vit kaq të vështirë ekonomik. arriti të ketë një sukses të tillë duke pasur një bashkëpunim të shkëlqyer midis një qeverie të shteteve të Ballkanit dhe një qeverie nga ato që sot udhëheqin BE”.
“Pra ky sukses sot nuk është një sukses që i përket vetëm rritjes ekonomike të Shqipërisë. Mbi 100 milionë euro do të injektohen në ekonominë tonë. Por mos të harrojmë që jemi në 2020, një vit ekonomikisht të vështirë për mbarë botën dhe “Voltalia” ka gjetur atraktiv tregun shqiptar për të investuar këtë shumë të konsiderueshme, në vitin ekonomik më të vështirë për mbarë botën”, – tha ministrja.
Balluku vuri në dukje faktin se “kemi ngritur një proces model i cili padyshim do të ndiqet edhe në ankandet e tjera ndërkombëtare, qofshin këto për energjinë, infrastrukturën apo për çdo lloj zhvillimi tjetër ekonomik që do të duhet të ketë në vendin tonë”.
“Kemi ecur krah për krah me BERZH dhe kemi patur mbështetjen e tyre në çdo hap”, – u shpreh Balluku.
Ajo falenderoi përfaqësuesit e kompanisë franceze që gjetën mundësinë për të qenë të pranishëm sot këtu, në këto kohë të vështira, pa deleguar firmën, por për të firmosur së bashku këtë kontratë kaq të rëndësishme.
Balluku falenderoi edhe ekipin e ministrisë që ajo drejton, për punën e palodhur, që siç u shpreh, “kanë sjellë një kontratë model që asnjëra nga palët mos të ketë asnjë hije mbi të. Kemi punuar në çdo detaj që të fillojmë menjëherë nga puna. E kam thënë që në momentin kur u hap procesi i ankandit dhe kur erdhën ofertat, që ky ishte një proces me të gjitha dokumentet brenda”.
“Sot firmosim për t’i hapur rrugë ndërtimit të këtij parku sa më parë. Për t’i hapur rrugë një bashkëpunimi të ri, që është një kartë biznesi e Shqipërisë në Francë. Me këtë proces do të krenohemi dhe kemi hapur një rrugë të re dhe kemi krijuar një shembull për investitorët e tjerë francezë të cilët janë të mirëpritur në vendin tonë dhe do të kenë mbështetjen e qeverisë”, – deklaroi Balluku.
Balluku falenderoi Kryeministrin Rama për besimin që i ka dhënë për të bërë këtë ankand ndërkombëtar dhe procesin shoqërues dhe për nxitjen që i ka bërë grupit të punës në finalizimin me sukses të këtij projekti të rëndësishëm.