Rusia planifikon që të zbatojë “vaksinim në shkallë të gjerë” ndaj koronavirusit në muajin tetor, deklaroi ministri i Shëndetësisë së Rusisë, Mikhail Murashko.
Duke folur për gazetarët, Murashko shtoi se mësuesit dhe punëtorët shëndetësorë do të jenë prioritet në këtë program vaksinimi. Megjithatë, ai nuk dha më shumë detaje rreth vaksinës apo këtij programi të vaksinimit.
Më herët gjatë javës, agjencia e lajmeve Reuters, duke u thirrur në një burim anonim, raportoi se vaksina e parë potenciale për COVID-19 e Rusisë pritet të marrë miratimin e qeverisë në muajin gusht.
Rusia raportohet se ka zhvilluar dy vaksina – një është zhvilluar nga Instituti Gamaleya në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe një vaksinë tjetër po zhvillohet nga laboratori shtetëror për kërkime Vektor.