“Rritja e varësisë nga Partneritetet Publike Private, PPP, për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në shtimin e detyrimeve potenciale”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar lëshon këtë apel për qeverinë shqiptare në raportin e tij të fundit, duke i kthyer edhe njëherë në vëmendje kontratat e llojit PPP, si një risk për buxhetin e shtetit dhe duke paralajmëruar ashpër për rreziqet fiskale që ato mund të sjellin për ekonominë vendase në tërësinë e saj.
“Rritja e shpejtë e PPP ka shtuar edhe risqet fiskale dhe stafi propozoi hapa të mëtejshëm për të kontolluar këtë aspekt. Përveç stokut ekzistues të PPP-ve prej 31 për qind e GDP-së (që mbulon më shumë se 220 projekte përfshirë koncesionaet në energji me më shumë se 23 pikë përqindje) në buxhetin e 2019 dokuementet parashikojnë një listë të PPP-ve potenciale që arrinin në 15 për qind të GDP-së”, thuhet në raportin e FMN-së.
Gjithashtu shtohet se “në kahun e brendshëm, borxhi publik është i lartë, ndërsa niveli i ulët i kursimeve të brendshme dhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionalë e rrit varësinë ndaj burimeve të huaja të financimit. Rritja e varësisë nga PPP-të për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në shtimin e detyrimeve potenciale. Rreziqet e brendshme gjithashtu përfshijnë ndikimin e thatësirës në prodhimin e energjisë, duke krijuar risqe për buxhetin”.
Në kushtet kur Shqipëria ende nuk ka ndërprerë vrullin e PPP-ve, Fondi ka rekomanduar që të forcohet dhe konsolidohet vendimarrja lidhur me procesin e investimeve publike në këtë formë duke nënvizuar sigurimin e vlerës së parasë në këto projekte PPP, që do të thotë projekte përmes një procesi ofertimi konkurrues. Një tjetër problematikë e hasur sipas FMN është që vlerësimi dhe përzgjedhja e projekteve të investimeve vazhdojnë të jenë të fragmentuara në varësi të burim i financimit të projektit.
“FMN-ja e mirëpriti ndryshimet e planifikuara në legjislacionin e PPP-ve për të rritur rolin e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si një mbikqyrës për koston potenciale të PPP-ve si një hap i parë pozitiv. Do të ishte kritike që të sigurohet vlera e parave përmes një procesi ofertimi konkurrues për të gjithë projektet duke ndaluar kështu pranimin e ofertave të pakërkuar. Nga ana tjetër, shpenzimet vjetore të qeverisë të lidhura me PPP-të parashikohet që të mbeten nën kufirin ligjor prej 5%”, citon FMN-ja.